E Diel, 1 Nëntor 2026

Pesë autobusë me grekë në Boboshticë, banorët nuk i mirëpresin

31/10/2011  Për kujtimin ndaj ushtarëve grekë, vdes pa filluar ceremonia njëri prej udhëtarëve

KORÇE- Pesë autobusë me banorë të Athinës dhe të Selanikut dhe mjaft automjete private, të shoqëruar nga një ngazëllim i dukshëm, iu drejtuan ditën e diel varrezave të Boboshticës për të kujtuar ushtarët e rënë gjatë luftës italo-greke, me mendimin se edhe banorët e Boboshticës do t’i prisnin si vëllezërit e tyre, por në të vërtetë nuk ndodhi kështu. Banorët e këtij fshati u bënë të ditur grekëve të ardhur se në këto varreza nuk kishte asnjë varr të ushtarëve grekë, pasi eshtrat e tyre që prej shumë kohësh ndodhen në Greqi. Dhe sikur të mos mjaftonte mosmirëpritja nga ana e banorëve të Boboshticës, njëri prej udhëtarëve grek dhe pikërisht i moshuari 86-vjeçar, Dhimitër Anagnosti, ndërroi jetë që në orët e para të mëngjesit, te një nga hotelet e Korçës ku kishte prenotuar për të fjetur. Megjithatë, organizata OMONIA së bashku me kryetarin e saj Logoraq Karamelo, u përkujdes që gjithë ceremonia të kryhej në gjuhën grekë. Edhe pse qarqet greke nuk po reshtin së punuari për të ashtuquajturin “helenizëm”, gjithnjë e më shumë po vërejnë se nga ana e shqiptarëve po mbeten gjithnjë jo të mirëpritur, pasi gjithçka po bëhet edhe më e qartë se qëllimet e njerëzve të tillë si konsulli Theodhoros Ikonomu, përveçse nuk janë të sinqerta janë edhe të mbrapshta. Nisur nga ceremonia e së dielës që nisi në orën 10.00 dhe përfundoi në orën 13.00, e cila u shoqërua me ftohtësi nga ana e banorëve, duket se vitin tjetër do të jetë edhe më e parëndësishme dhe pa asnjë rëndësi që të tërheq mendjen e shqiptarëve apo të mediave, pasi mesa shihet gjithçka ka për t’u tretur si kripa në ujë. V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›