Topi në samitin e Serbisë: Duhej të ishte ftuar edhe Kosova
Presidenti Bamir Topi është duke zhvilluar një vizitë në Serbi me rastin e samitit Rajonal të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore.
Gjatë fjalës së tij, presidenti Topi është ndalur veçanërisht në bashkëpunimin rajonal dhe për këtë arsye, ka kritikuar faktin që Kosova nuk është ftuar në këtë samit.
Kosova është një pjesëmarrëse legjitime në veprimtari të tilla si dhe një faktor paqeje e stabiliteti në rajon. Kosova, me kulturën e saj të vjetër dhe të re, me artin e saj modern e bashkëkohor, me zërat e saj më të artikuluar, do ti forcojë lidhjet politiko- kulturore me popujt e tjerë në rajon dhe sidomos me fqinjët. Për këtë duhet vullnet i gjithanshëm, sepse pajtimi është plotësisht i mundur. Popujt nuk mund dhe nuk duhet të jetojnë me tensione dhe me komplekse që vijnë nga e kaluara, por në paqe e në harmoni dhe sigurisht, gjuha e artit, pluraliteti i tij janë instrumente shpirtërore të pazëvendësueshme komunikimi, ka thënë presidenti gjatë fjalës së tij.
Deklaratë kjo, që në Serbi nuk duhet të jetë pritur mirë, duke patur parasysh marrëdhëniet me Kosovën.