Topi-Bokova, vlerësohet bashkëpunimi me UNESCO-n

Presidenti Bamir Topi, zhvilloi sot një takim të veçantë pune me Drejtoreshën e Përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova në kuadrin e Samitit të 9-të të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore që po mbahet në Serbi.
Presidenti Topi, pasi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të frutshëm dhe shumëvjeçar mes institucioneve shqiptare dhe UNESCO-s, shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme dhe rolin a madh të luajtur nga UNESCO për ruajtjen, evidentimin dhe vlerësimin e pasurive e vlerave kulturore dhe historike të Shqipërisë.
“Kultura, historia, arti i popujve të ndryshëm kanë provuar që nëpërmjet ndërlidhjeve të tyre me ato të fqinjëve, nuk njohin kufi duke luajtur rolin e tyre të rëndësishëm e të pazëvendësueshëm në ndërtimin e urave të komunikimit dhe bashkëjetesës mes popujve dhe vendeve të Ballkanit”, u shpreh presidenti.
Po ashtu ai shtoi se rajoni pas krijimit të shtetit të ri të Kosovës, ka fituar një paqe dhe siguri afatgjatë, duke u orientuar i gjithi drejt integrimit në familjen e madhe evropiane.
Duke diskutuar për temën e këtij Samiti të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore dhe rolin që luan arti modern e bashkëkohor, Presidenti Topi vuri në dukje nevojën e përfshirjes së Kosovës në këto takime dhe nisma rajonale, sepse vetëm duke forcuar lidhjet e gjithanshme, duke përfshirë edhe ato kulturore mes Kosovës dhe fqinjëve të saj, si dhe komunikimin e pajtimi, atëherë dhe orientimi drejt të ardhmes integruese do të jetë plotësisht i mundur dhe paqja, harmonia e begatia do të karakterizojnë të ardhmen e rajonit tonë, aq shumë të trazuar në të shkuarën.
Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova vlerësoi bashkëpunimin e efektshëm me institucionet shqiptare dhe garantoi se organizata që ajo drejton do të vazhdojë të ndihmojë e të mbështesë vendin tonë në strategjitë kombëtare dhe projektet e veçanta.
Bokova theksoi gjithashtu edhe rëndësinë e Samitit të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore që po zhvillohet në Viminacium, për rritjen dhe zgjerimin e marrëdhënieve të mira mes vendeve të rajonit, veçanërisht atyre kulturore e artistike, duke nënvizuar se vlerat e pasuritë e përbashkëta kulturore dhe historike të popujve ballkanikë, shërbejnë si mjete të efektshme bashkimi dhe ndërveprimi mes kulturave të ndryshme.