E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në takim me zyrtarin e BE: Të ruhet qetësia!

Kreu i shtetit Bamir Topi duke iu referuar situatës së sotme në KQZ-së ka kërkuar nga palët maturi, qetësi, ndjenjë të lartë përgjegjësie, respektim të ligjit, rendit ligjor dhe sidomos respektim të axhendës integruese evropiane të Shqipërisë nga të gjithë. Në një takim me Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefano Sanino, kreu i shtetit ritheksoi se në pozicionin e Kryetarit të Shtetit shqiptar do të jetë përherë “respektues i Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe ruajtjes së ekuilibrave politikë e shoqërorë, në interes të qytetarëve shqiptarë dhe përmbushjes së ëndrrës së tyre evropiane si dhe të stabilitetit të vendit.”
Në takim zyrtari i lartë i BE-së, e siguroi Kreun e Shtetit shqiptar për gatishmërinë e bashkësisë ndërkombëtare për të vijuar ndihmesën në funksion të arritjes së standardeve demokratike, konsolidimit të institucioneve të pavarura demokratike e kushtetuese dhe përmbushjes së aspiratave integruese të Shqipërisë.
Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan faktin se vullneti i forcave politike në Shqipëri është me mjaft rëndësi për përparimin e integrimit të vendit drejt strukturave të Bashkimit Evropian dhe plotësimin e rekomandimeve të Këshillit të Evropës si dhe detyrimeve të tjera që nevojiten për anëtarësimin në familjen evropiane. Në këtë prizëm, për t’i shërbyer axhendës evropiane të Shqipërisë, Presidenti Topi vlerësoi si “të një rëndësie historike edhe vizitën e pritshme në fund të kësaj jave të Presidentit të Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barrozo dhe delegacionit me zyrtarë të lartë të BE-së në Tiranë”.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›