E Diel, 1 Nëntor 2026

Librazhdi, dikur bastioni i socialistëve, merr ngjyrë blu

18-05-2011 / Nga Zhuljeta Elezi

“Aleanca për Qytetarin”, shtrin fitoren nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim


Bie bastioni i socialistëve! Librazhdi merr ngjyrë blu. Partia Demokratike ka shënuar një fitore historike në rrethin e Librazhdit, duke fituar si asnjëherë tjetër, 2 bashki dhe 4 komuna. Shefki Çota në bashkinë e Librazhdit dhe Bajazit Karriqi në bashkinë e Përrenjasit, fituan garën elektorale të 8 majit me epërsi të theksuar, ndaj rivalëve të tyre socialistë. Në përfundim të procesit të numërimit të votave në rrethin e Librazhdit, s’kanë munguar surprizat, të cilat në fakt në popullsinë e gjerë nuk priteshin, nëse i nisemi faktit se, Librazhdi ka një prirje të theksuar të majtë, edhe pse vitet e fundit është vënë re thyerja. Fushata zgjedhore që në fillim ka kaluar shumë mirë ashtu siç ka qenë dhe dita e votimeve e deri në numërimin e tyre, por surprizat e mëdha kanë qenë humbja e PS-së në dy bashkitë kryesore të këtij rrethi, të cilat u fituan nga kandidatët e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”. Për zgjedhjet e  8 majit  ishin të regjistruar 53 420 zgjedhës dhe 91 qendra votimi. Morën pjesë në votime rreth 58.5 për qind e zgjedhësve. U konkurrua për 11 njësi vendore për dy bashki dhe nëntë komuna. Librazhdi është një nga rrethet më të mëdha në Qarkun e Elbasanit dhe me më shumë numër banorësh e komunash. Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, arriti të thyejë bindshëm PS-në dhe koalicionin “Aleanca për të Ardhmen”. Duhet të theksojmë se prej vitesh Bashkia Librazhd dhe Bashkia Përrenjas qeverisej nga e majta, po kështu edhe komuna e Orenjës kishte gati 12 vjet që qeverisej po nga e majta, por zgjedhjet e 8 majit me votën e lirë të qytetarëve larguan njëherë e mirë socialistët nga qeverisja e kësaj zone, të cilët vetëm sa pasuroheshin për vete dhe asnjë lloj pune dhe investimi nuk kthenin për qytetarët. Drejtuesit socialistë përfituan personalisht dhe familjen e tyre, vila dhe makina luksoze dhe dhënie lejesh ndërtimi pa kriter, dhe për këto shkelje të rënda, vota popullore i ndëshkoi në 8 maj 2011. Një moment i rëndësishëm është edhe rikonfimimi i PD-së në komunën Hotolisht, një prej zonave më të mëdha kjo, të Librazhdit, teksa kandidati demokrat Fadil Alliu arriti të fitojë me një diferencë të ndjeshme prej 180 votash, kundër rivalit të tij socialist, Shaban Kërçini. Në të gjithë rrethin, këshillat bashkiakë do të qeverisen nga e djathta sepse kanë shumicën e anëtarëve të këshillave. Librazhdi shënoi një kthesë historike. Dhe pikërisht ky moment mjafton për të theksuar se nën drejtimin e përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe koalicionit qeverisës “Aleanca për Qytetarin”, Librazhdi do njohë vitet e zhvillimit ekonomik.


Rezultatet përfundimtare të numërimit të votimeve


. Bashkia Librazhd , Fitoi kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”  Shefki Çota (PD+PDIU) me 584 vota më shumë se rivali i tij, Enver Koci, PS koalicioni “Aleanca për të Ardhmen”.


2. Bashkia Përrenjas fitoi kandidati i PD-së dhe i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Bajazit Karriqi me 103 vota më shumë se rivali i tij, Artur Topi i PS-së dhe koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, ku ky i fundit rikandidonte për së dyti për kreun e Bashkisë së Përrenjasit.


“Aleanca për Qytetarin”  fitoi edhe katër komuna


1. Komuna Hotolisht, Fadil Alliu i PD dhe i mbështetur nga “Aleanca për Qytetarin”,  fitoi me 174 vota më shumë kundrejt kandidatit Shaban Kërçini të PS dhe koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”


2. Komuna Orenjë, Ndriçim Lila i PD dhe i mbështetur nga “Aleanca për Qytetarin”, fitoi me 644 vota më shumë kundrejt kandidatit Ndriçim Hida i PS, koalicioni “Aleanca për të Ardhmen”. Ky i fundit rikandidonte për një mandat të tretë në komunën Orenjë.


3. Komuna Polis, Veli Terziu i PD dhe i mbështetur nga “Aleanca për Qytetarin”, fitoi me 74  vota më shumë kundrejt kandidatit Partizan Ballolli të PS dhe koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”. Veli Terziu rikandidonte për një mandat të dytë.


4. Komuna Stravaj, Ardjan Zeneli i PD dhe “Aleancës për Qytetarin”, fitoi me 120  vota më shumë kundrejt kandidatit Xhemal Facja të PS dhe koalicioni “Aleanca për të Ardhmen”. Ardjan Zeneli rikandidonte për së dyti.


Këshillat Bashkiakë dominohen nga të djathtët


Bashkia Librazhd


“Aleanca për Qytetarin” - 9 këshilltarë


“Aleanca për të Ardhmen” -     8 këshilltarë


Vota për këshilltarë


Koalicioni i djathtë - 2155 vota


Koalicioni i majtë - 1677 vota.


Bashkia Përrenjas “Aleanca për Qytetarin” -     9 këshilltarë 


“Aleanca për të Ardhmen” -     5 këshilltarë


Vota për këshilltarë  


“Aleanca për Qytetarin” -     1638 vota


“Aleanca për të Ardhmen” -     1677 vota

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›