E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, dy standarde - kërkon për Cakranin, atë që kundërshton për Tiranën

18-05-2011 / Gazeta 55

Në KQZ është depozituar një ankesë, nëpërmjet të cilës kërkohet numërimi dhe llogaritja e votave të gjetura në kutinë e gabuar

PS-ja përdor dy standarde, për s ai përket numërimit dhe llogaritjes së votave, të gjendura në kutitë e gabuara. Ndërsa për Tiranën, PS-ja, kundërshton me forcë, numërimin dhe llogaritjen e këtyre votave, për njësi të tjera vendore, përdor një tjetër standard, atë të numërimit dhe llogaritjes së këtyre votave.
Ky fakt zbulohet nga ankesat që janë depozituara pranë KQZ-së, nga subjekte të ndryshme zgjedhore.
Burime të KQZ-së, bëjnë të ditur se, janë rreth 150 kërkesa ankimore nga partitë politike të regjistruara në këtë komision, në të cilat kanë paraqitur pretendimet e tyre për parregullsi gjatë procesit të votimit për bashkitë dhe komunat më 8 maj.
Në një nga këto kërkesa, atë me nr. 140, që është depozituar pranë KQZ për shqyrtim në datën 16. 05. 2011 dhe me nr. 4424 prot., PS-ja kërkon nga KQZ-ja një vendimmarrje të ngjashme me atë që po kërkon Partia Demokratike për rinumërimin e fletëve të votimit të kontestuara nga disa KZAZ në Tiranë.
PS-ja në kërkesën e saj, i kërkon KQZ-së “Kundërshtim të vendimit nr. 96 të datës 14. 05. 2011 për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për zgjedhjen e kryetarit të Komunës Cakran”.
Po kështu, PS-ja i kërkon KQZ-së “Rivlerësimin dhe rinumërimin e votave të kontestuara për Qendrën e Votimit nr. 3106”.
Sipas kësaj ankese, mësohet se bëhet fjalë për një vendim të marrë nga KZAZ-ja 20 që i përket komunës së Cakranit, në Qarkun e Fierit. Kjo kërkesë nuk është as më pak e as më shumë se sa një kërkesë e njëjtë me atë të Partisë Demokratike për rinumërimin e fletëve të kontenstuara nga të paktën 6 KZAZ në Tiranë, për shkak se ato janë të rregullta por që janë hedhur në kutinë e gabuar nga votuesit e kryeqytetit të dielën e 8 majit.
Ndërsa, kërkesa e PD-së kundërshtohet më forcë nga socialistë, të cilët i kërkojnë KQZ-së që të mos i vlerësojnë të vlefshme fletët e votimit për Tiranën, nga ana tjetër ata i kërkojnë po KQZ-së që këtë veprim ta kryejnë në favor të tyre për kryetarin e komunës Cakran.
Mësohet gjithashtu se, PS-ja ka depozituar në KQZ edhe kundërshtimin e saj për tabelën përmbledhëse të rezultateve për kryetarin e bashkisë Bulqizë, në Qarkun e Dibrës. Socialistët kanë depozituar në KZ-së kontestimet e tyre mbi rezultatin e dalë nga votimi i 8 majit për Komunën Dajç të Lezhës.
Nga ana e tyre, socialistët i kërkojnë KQZ-së “Kundërshtim të të vendimit të marrë nga KZAZ-ja 37, ‘për miratim të tabelës përmbledhëse të rezultatit për kryetarin e komunës Dajç, si dhe shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve për kryetar komune dhe Qendrën e Votimit 0699’”, thuhet në kërkesën e depozituar në KQZ. 
Ndër kërkesat e shumta që kanë mbërritur në KQZ, ajo që bie në sy në këto kërkesa është se partitë e mëdha kontestojnë rezultatet e shpallura nga KZAZ-të për kryetarë bashkish dhe komunash. Ndërsa, partitë e vogla kundërshtojnë rezultatet e shpallura për kandidatë për këshillat bashkiake apo komunale në rang vendi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›