E Diel, 1 Nëntor 2026

Celibashi: Mosndryshimi i Kodit, pretekst për kontestim zgjedhjesh

SHKRUAN: Dardan Malaj 06-04-2011 13:27

Nuk e di se si do të jetë në fund të fundit edhe gjykimi i vëzhguesve, në lidhje me këtë proces zgjedhor, sa kohë që rekomandimet e parashtruara prej tyre nuk janë përmbushur

Moskryerja e reformës zgjedhore mund të shërbejë si një pretekst për të kontestuar zgjedhjet e 8 majit. Këtë konstatim e jep ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. “Si rrallë herë, ose ndoshta do të jetë rasti i vetëm që po hyjmë në një proces zgjedhor të pa paraprirë nga ndryshime në ligjin zgjedhor”, theksoi Celibashi. Mundet, tha ai, që kjo të mos ketë asnjë lloj rëndësie, pasi Kodi mund t’i përmbushë të gjitha interesat e zgjedhësve, forcave politike dhe qytetarëve, mund të jetë legjislacion që jep garanci për një proces të ndershëm e të besuar, me rezultat të pranuar por eksperienca e zgjedhjeve në Shqipëri ka treguar se ato janë karakterizuar nga problematika me ndikim në rezultatin zgjedhor. “Edhe në zgjedhjet e kaluara, këto problematika nuk kanë munguar dhe nëse do të marrim si verdikt të atyre zgjedhjeve atë verdikt që ka dhënë ai arbitër që të gjithë e kemi pranuar (OSBE/ODIHR), në raport janë evidentuar probleme, deri diku, edhe të rënda të zgjedhjeve të kaluara pavarësisht progresit në disa momente sinjifikativ”, u shpreh Celibashi. Sipas tij, edhe në këtë raport janë evidentuar probleme dhe parashtruar rekomandime e natyrshëm, që Shqipëria është e obliguar të kishte ndërmarrë iniciativa politike dhe ligjore për përmbushjen e tyre. “Nuk e di se si do të jetë në fund të fundit edhe gjykimi i vëzhguesve në lidhje me këtë proces zgjedhor, sa kohë që rekomandimet e parashtruara prej tyre nuk janë përmbushur. Ne kemi krijuar ndonjë pretekst që humbësi i këtyre zgjedhjeve, nesër apo pasnesër, të dalë dhe të kontestojë rezultatin e zgjedhjeve, të jetë kritik në rastin më të mirë ndaj procesit zgjedhor, për të mos thënë që mund edhe të mos e pranojë fare. Nuk jam këtu të bëj gjykatësin e të them kush e ka fajin, por dua të them se fakti është ky”, nënvizoi Celibashi. Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve insistoi në faktin se është humbur shumë kohë dhe politika duhet ta kishte gjetur vullnetin dhe t’i kishte hyrë kësaj çështjeje. “Për të qenë i sinqertë me veten time, do të thosha se disa gjëra edhe mund të ishin bërë që të jepnin dhe garantonin besimin e palëve në këtë proces zgjedhor. Duket se njëra palë është futur pa garancitë që do të donte të kishte në këtë proces zgjedhor. Nëse do e kisha unë në dorë, do të kisha bërë gjithçka që të garantoj palën më të dobët në këtë proces”, ngulmoi Celibashi. Gjithashtu, ai insistoi në faktin se ka qenë disa vite në pjesën e administratorit të zgjedhjeve dhe në atë periudhë, sëbashku me institucionet e tjera, është bërë çdo gjë që lejohej nga ligji, që t’i jepej garanci maksimale palës më të dobët në procesin zgjedhor. “Në gjykimin tim, zgjedhjet janë të mira kur i pranon humbësi. Kur ai i pranon dhe tërhiqet nga pushteti, ato janë zgjedhje të mira. Çdo gjykim tjetër do të ishte i pavlerë”, tha Celibashi. D.Malaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›