E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gumi: Ndryshimet, jo për të kthyer krizat

Por ndryshe nga një pjesë e socialistëve, demokratët i qëndrojnë gjykimit të tyre se ndryshimet kushtetuese nuk duhet të rikthejnë mundësinë e përdorimit të momentit të zgjedhjes së presidentit, për të krijuar kriza institucionale dhe qeverisëse. Është deputeti i Partisë Demokratike, Viktor Gumi, ai që shprehet se ndryshimet kushtetuese nuk duhen bërë për të improvizuar kriza. Përmes një interviste televizive, Gumi u shpreh se Kushtetuta duhet të jetë një mjet që zgjidh krizën institucionale. “Unë besoj se ndryshimet kushtetuese janë një element madhor, veçanërisht të një shoqërie demokratike. Ndryshimet kushtetuese nuk bëhen për të imponuar kriza, Kushtetuta duhet të jetë mjet për zgjidhjen e krizës e institucioneve. Prandaj çdo kthim pas për të imponuar nëpërmjet një mjeti kushtetues krizë institucionale është detyrimisht i destinuar të dështojë” - tha Gumi. Nga ana tjetër, ai vlerëson se ndryshimet e Kushtetutës të vitit 2008 patën impakt pozitiv në jetën politike dhe institucionale të vendit, pasi mundën të evitojnë rrezikun e krizave të panevojshme. Kjo sipas tij merr më shumë rëndësi kur dihet fakti që këto ndryshime u miratuan me konsensusin e dy forcave të mëdha politike. “Unë besoj se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kishin aspektin e tyre shumë pozitiv, mjafton t’i referohemi në këtë rast edhe opinionit të komisionit të Venecias për këto ndryshime kushtetuese. Natyrisht që këto ndryshime kushtetuese e kaluan testin e kohës, madje nuk janë aspak anti-demokratike” - u shpreh Gumi. Duke iu referuar pikërisht pikës më të nxehtë në këtë debat, nenit që përcakton rregullat dhe mënyrën e zgjedhjes së presidentit, Gumi shprehet se në 2008 u eliminua mundësia që në çdo pesë vite, të kishte kriza. “Presidenti nuk është aspak kandidat i një partie, përkundrazi praktika ka treguar se tendenca për të ofruar presidentin nga njëra palë e ka shkatërruar sistemin. Presidenti është përfaqësues i popullit, përfaqësonin unitetin kombëtar”, - tha Gumi, ndërsa e ka vlerësuar të kotë debatin edhe për arsyen se Kushtetuta është një ligj që nuk mund të ndryshojë rrallë dhe sipas kërkesave apo interesave të një force të caktuar politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›