E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi pret Zhbogar : Apel për dialog duke respektuar shtetin ligjor

TIRANË- "Vetëm përmes një dialogu konstruktiv dhe të maturuar politik dhe duke respektuar institucionet dhe shtetin ligjor, forcat politike dhe të gjithë aktorët kryesorë do të mund ta nxjerrin vendin nga situata tepër shqetësuese", tha sot Presidenti Bamir Topi, gjatë një takimi me Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Samuel Zhbogar.

Sipas zyrës së shtypit pranë presidencës, gjatë takimit Kreu i Shtetit u ndal te situata në të cilën ndodhet vendi, duke u bërë thirrje forcave politike që të kenë parasysh interesat madhore të popullit shqiptar dhe perspektivën e së ardhmes integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në këtë kontekst, Presidenti vlerësoi veçanërisht "gatishmërinë e vendeve mike dhe aleate të Shqipërisë, të Sllovenisë dhe të gjithë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në mbështetje të kapërcimit të situatës së krijuar në vend".
Duke u ndalur te marrëdhëniet dypalëshe me Slloveninë, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe ndihmën e dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. "Ne e vlerësojmë veçanërisht mbështetjen e Sllovenisë ndaj proceseve euro-integruese të Shqipërisë, sidomos kontributin e shumë personaliteteve sllovene në këtë drejtim", tha ai.

Nga ana e tij, Ministri Zhbogar vlerësoi rolin moderator dhe konstruktiv të Presidentit Topi gjatë ushtrimit të detyrës së tij si simbol i unitetit të popullit. Ai theksoi rëndësinë e funksionimit të shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura kushtetuese, si dhe nevojën për rikthimin e normalitetit dhe rivendosjes së dialogut politik institucional.
"Vizita ime në Tiranë, është nxitur nga vullneti që Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të tij, të japin ndihmesën dhe të përfshihen në mënyrë më aktive në zgjidhjen e menjëhershme të krizës politike në Shqipëri", tha ai

(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›