Topi rikthen në Kuvend ligjin e Legalizimeve
Shtesat dhe ndryshimet qe i janë bere se fundit ligjit te legalizimeve, te miratuar ne Kuvendin e Shqipërisë ne datën 10 prill, do te shkojnë serish për rishqyrtim ne parlament. Presidenti i republikës Bamir Topi, ka dekretuar kthimin për rishqyrtim ne Kuvend ligjin për legalizimin e zonave informale. Dekretimi për rishqyrtim është bere ne mbështetje te neneve 85, pika 1 dhe 93 të Kushtetutës. Ndryshimet ne ligjin per legalizimet u miratuan me 10 prill te vitit 2008, 2 vjet pas miratimit te ligjit te shume diskutuar ne kuvendin e mbizotëruar nga kjo maxhorance. Ligji qe parashikon legalizim dhe urbanizim te zonave informale është kontestuar disa here nga opozita dhe grupimet e pronareve legjitime.
PR dhe PS përshëndesin dekretin për "legalizimet"
Pas dekretit te presidentit Topi për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit për legalizimin dhe urbanizimin e zonave informale opozita e majte por dhe republikanet nga brenda koalicionit qeveritar përshëndesin këtë vendim te kreut te shtetit. Deputetit socialist Taulant Balla pasi e vlerësoi si të drejtë vendimin e presidentit tha se ligji i legalizimeve duhet ti nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimesh publike me ekspertë të fushës si dhe me grupet e interesit.
Edhe kreu i grupit parlamentar republikan Arjan Madhi e cilësoi të drejtë vendimin e kreut të shtetit për kthimin në parlament për rishqyrtim të ligjit të legalizimeve. Republikani Madhi theksoi se ligji në fjalë nuk parashikon afatin e kompensimit të ish pronarëve si dhe shkatërron besimin e tyre të qeveria.
Ligji i Legalizimeve ja debatet gjate miratimit
Vetëm dy vjet nga miratimi, ligji "Për legalizimin dhe urbanizimin e zonave informale" ka ndryshuar në rreth 70 për qind të tij. Kuvendi ka miratuar rreth 20 ditë më parë (10 prill 2008), me votën e deputetëve demokratë dhe votat kundër të opozitës, si dhe republikanëve, amendamentet në ligjin bazë të legalizimeve, duke sanksionuar në këtë mënyrë shmangien e pushtetit vendor nga ky proces dhe kalimin e të gjitha kompetencave të dhënies së pronësisë, Agjencisë qeveritare të Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale.
Gjatë seancës plenare të datës 10 prill, diskutimet janë përqendruar tek çështja e kompetencave që i jepen ALUIZNI-it, heqja e afateve për përgatitjen e listës së ish-pronarëve që do të shpronësohen, si dhe tek ndryshimi që bëhet në projektligjin në fjalë i termit "zonë informale". Sipas deputetëve opozitarë, heqja e këtij termi ndryshon gjithë ligjin, prandaj e kanë konsideruar si të papranueshme. "Me anë të këtij procesi doni të kondiciononi zgjedhjet e ardhshme, pra të kondiciononi votën e shqiptarëve", ka theksuar nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, i cili ka akuzuar qeverinë se po tenton të marrë kompetencat e pushtetit vendor në lidhje me këtë proces. Ndërkohë, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, duke mbrojtur amendamentet e paraqitura ka theksuar se ato thjeshtojnë skemën e legalizimit, duke kaluar nga zona informale tek parcela ndërtimore, duke shkurtuar një numër të pafund procedurash që janë ndjekur deri tani. Sipas tyre, për efekt shpejtësie, procesi i legalizimeve do të ndahet nga ai urbanizimit të këtyre zonave dhe legalizimi nuk do të bëhet pasi të miratohen zonat informale, por ai do të kryet në mënyrë individuale nga çdo person. "Ata që sabotojnë në mënyrë permanente procesin e legalizimin, janë kryetarët e bashkive në qytetet e mëdha, të cilët i përkasin opozitës. Janë Tirana, Elbasani dhe Fieri. Ne po bëjmë procesin dhe po e përshpejtojmë dhe modeli që ne ofrojmë është ligjor", është shprehur Olldashi në seancën plenare të datës 10 prill.
Por ndaj këtij qëndrimi kundër kanë dalë edhe republikanët, aleatët e PD-së në qeverisje, të cilët me anë të kryetarit të grupit Arian Madhi kanë deklaruar hapur votën e tyre kundra. Ndërkohë edhe deputeti demokrat Spartak Ngjela, ka akuzuar qeverinë se po vazhdon të nëpërkëmbë të drejtat e ish-pronarëve. "Më lejoni të them se pas dy vjetësh, për të tëra këto që kemi shkruar, këtë paçavure që kemi sjellë si qeveri në këtë parlament, u kam paralajmëruar 2 vjet më parë. Një ligj që ka nevojë të formulohet në 70 për qind të karakterit të tij juridik ka vdekur, pra ka dështuar pavarësisht se vazhdon të veprojë. Dhe do të vazhdojë të dështojë", u shpreh Ngjela. Ndërkohë që sipas një ndryshimit të bërë në komision, me anë të këtyre amendamenteve përcaktohet se të gjithë banorëve që kanë ndërtuar në zonat informate, të përfshira brenda vijës së verdhë dhe për të cilat ka një studim urbanistik për ndërtimin e pallateve mbi 5 kate, do t'u prishen banesat dhe do të konsiderohen nga shteti si të pastreha.
Krahas 27 amendimeve që mbart drafti i parë, projektligjit për disa ndryshime në ligjin për legalizimin e zonave informale, i është bërë dhe një ndryshim shtesë, sipas të cilit parashikohet që shteti të marrë përsipër që të strehojë të gjitha familjet të cilat kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme brenda zonave që kanë plane rregulluese urbanistike dhe ku parashikohet ndërtime mbi 5 kate nga niveli zero. Sipas kësaj pike shtesë parashikohet që kur pronari i truallit ndërton sipas planit rregullues, firma investuese detyrohet që, në çastin e paraqitjes së kërkesës për leje shesh ndërtimi, të paraqesë në zyrën e urbanistikës përkatëse deklaratën noteriale për vendosjen në dispozicion, në çastin e përfundimit të objektit, të pasurisë së paluajtshme ndërtimore në favor të strehimit të familjes, që disponon ndërtimin pa leje në këtë truall.
PS kërkesë Topit për mosdekretim
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i kishte bërë thirrje kreut të shtetit Bamir Topi që të mos dekretonte ligjin "Për disa shtesa në ligjin për legalizimin dhe urbanizimin e zonave informate". Edi Rama ka shprehur shpeshherë rezervat e veta për Ligjin e Legalizimeve. "Ndryshimet janë absurde me karakter thellësisht politik, me frymëzim tërësisht primitiv, bazuar vetëm e vetëm në nevojën e këtij pushteti për të mbledhur vota, duke manipuluar të gjithë qytetarët e këtij vendi, duke manipuluar edhe vetë ata që janë banorë të zonave informale dhe duke minuar në mënyrën më të papërgjegjshme të ardhmen tonë të përbashkët", - është shpreh kryesocialisti Rama lidhur me këtë ligj.
Sipas tij, zgjidhja që ka ofruar shumica si në ligjin bazë, ashtu edhe me ndryshimet e reja të bëra në ligj, nuk krijon mundësi për zgjidhje përfundimtare të kësaj çështjeje, pasi lë të hapur një konflikt midis të ardhurve dhe pronarëve të vërtetë. I bindur në pamundësinë e zbatimit të këtij ligji, kreu i selisë rozë ka vlerësuar se ai ka vetëm qëllime politike, për t'u përdorur gjatë fushatave elektorale si një kartë për të fituar zgjedhjet.