NATO do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë
NATO do të vazhdojë përkushtimin për garantimin e mjedisit të qetë dhe të sigurt në gjithë territorin e Kosovës. Drejtues të Komitetit ushtarak te NATO-s qe vizituan dje Kosovën thanë se Aleanca do t'u përgjigjet të gjitha kërkesave që dalin për misionin e KFOR-it në periudhën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Komiteti ushtarak i NATO-s u shpreh i kënaqur me gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe angazhimin e forcave shumëkombëshe të KFOR-it për garantimin e mjedisit të qetë, si për shumicën shqiptare ashtu edhe për pakicat. Shefi i Komitetit Rej Heno tha se përkushtimi i NATO-s është shumë i rëndësishëm sidomos në këtë fazë për Kosovën. Misioni i NATO-s në Kosovë bazohet në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Heno tha se mandati do të mbetet i pandryshuar deri në një vendim tjetër të OKB-së. Ngjarjet e 17 marsit në veri të Kosovës, sipas Komitetit nuk kanë ndikuar në kurrfarë ndryshimi në rolin dhe misionin e NATO-s në Kosovë. Heno tha se NATO-s është e kënaqur me nivelin e trupave që ka në misionin në Kosovë dhe nuk paralajmëroi ndryshime eventuale, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës me 15 qershor. Komiteti vlerësoi pozitivisht bashkëpunimin ndërmjet forcave të KFOR-it dhe të policisë, qoftë vendore apo ndërkombëtare, si mekanizma kryesore për garantimin e sigurinë në Kosovë.