Mungojnë sigurimet, spitalet në kaos
Sipas shefave të QSUT-së, skema aktuale është absurde pasi ofron shërbim të njëjtë për ata që paguajnë dhe ata që s'paguajnë
Shefat: Të ndryshojë ligji për rimbursimin e ndihmës mjekësore. Spitalet të futen urgjentisht në skemën e sigurimeve
Paguaj sigurime shëndetësore por në spital do të marrësh shërbim njësoi si ata që nuk paguajnë. Ky është ligji aktual për sistemin shëndetësor që ka sjellë situatë alarmante në spitalet tona, pasi pacientët nuk marrin shërbim korrekt dhe brenda standardeve. Por kjo fatkeqësi bie edhe mbi ata që paguajnë sigurimet. Të ndodhur përpara kësaj situate, profesorët e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" kërkojnë që të ndryshojë në mënyrë urgjente sistemi aktual dhe në skemën e sigurimeve shëndetësore të futen spitalet. Ndërkohë profesorët pohojnë se të siguruarit nuk marrin as medikamente të rimbursuara cilësore dhe se numri i tyre është i kufizuar.
Sigurimet
Nëse je i siguruar, merr ndihmë mjekësore të rimbursuar. Në fakt, kjo praktikë, e cila njihet dhe ka dhënë rezultat prej 150 vjetësh në vendet perëndimore, në vendin tonë jo vetëm nuk zbatohet por ka zhytur sistemin shëndetësor në kaos. Kështu shprehen shefat e shërbimeve në QSUT, të cilët theksojnë se duhet të ndryshohet ligji në mënyrë urgjente. "Fakti që spitalet nuk janë në skemën e sigurimeve shëndetësore, është handikapi më i madh që po i ndodh sistemit tonë shëndetësor dhe kjo është arsyeja kryesore që pacientët tanë nuk marrin shërbimin që meritojnë dhe spitalet janë në gjendje të mjerueshme",- pohon shefi i shërbimit të Urologjisë pranë QSUT-së, Mustafa Xhani. Ndërsa shefi i shërbimit të Nefrologjisë, Nestor Thereska thekson se të gjithë duhet të paguajnë sigurimet shëndetësore në mënyrë që të përfitojnë shërbim dhe përqindja e pagesës së këtyre sigurimeve të jetë më e lartë se shuma që paguhet tani. "Me këtë përqindje sigurimesh që derdhen aktualisht, nuk mund të mbahet as sistemi parësor dhe as sistemi spitalor. Ka ardhur koha për ata që nuk paguajnë sigurimet, të mos iu rimbursohen shërbimet shëndetësore, në të kundërt, kurrë nuk do të kemi një sistem shëndetësor të shëndoshë dhe në funksion të pacientëve",- pohon Nestor Thereska. Sipas tij, sistemi aktual i marrjes së shërbimit në spitale funksionon njësoi si para viteve '90 dhe kjo jo vetëm që nuk ka sjellë dobi për sistemin, por e ka zhytur atë në problematikë tepër të theksuar.
Anomalitë
Ndërsa profesor Alketa Koroshi, doktor në shërbimin e Nefrologjisë pranë QSUT-së, shpjegon se në një sistem demokratik, financimi i shëndetësisë bëhet nga sigurimet shëndetësore të individit, të bëra përgjatë gjithë jetës së tij, për t'i përdorur ato në momentin e nevojshëm të sëmundjes. "Në fakt, pikërisht ky parim nuk zbatohet, duke bërë që ata persona që nuk paguajnë sigurimet shëndetësore të mos kenë ndonjë motiv për ta bërë më këtë. Nuk është logjike që të marrin të njëjtin shërbim si ata që derdhin para çdo muaj për sigurimet shëndetësore, si ata që nuk paguajnë fare. Kjo nuk funksionon kështu askund",- thekson Koroshi duke shtuar se më pak se 30% e popullsisë paguan sigurime shëndetësore, në një kohë që të gjithë kërkojnë shërbim të rimbursuar. Ndërkohë të njëjtin mendim shprehin edhe mjekët e tjerë, të cilët theksojnë se tashmë ka ardhur koha t'i jepet fund këtyre anomalive, në të kundërt, shumë shpejt nuk do të ketë sistem spitalor dhe gjithë pasojat do të bien mbi pacientët të cilët përplasen në dyert e spitaleve.
Shefat: Lista e barnave të rimbursueshme, e varfër dhe jocilësore
Listë e kufizuar me medikamente dhe aspak cilësore. Kjo është një tjetër problematikë me të cilën duhet të përballen pacientët tanë. Kështu shprehen shefat e shërbimit të QSUT-së duke theksuar se kemi listën më të varfër në rajon. "Individi që paguan sigurime shëndetësore, ka të drejtë të mendojë e besojë se po u sëmur do të rimbursohet me medikamentet që i duhen, por në fakt nuk ndodh kështu pasi lista e barnave të rimbursuara nuk përfshin të gjitha medikamentet kryesore bazë për mjekimin e sëmundjeve kryesore",- pohojnë shefat duke shpjeguar se me ligjin shqiptar, individi duhet të parashikojë që po u sëmur, të sëmuret nga një sëmundje e cila mjekohet me barnat që gjenden në listën e ISKSH. "Kjo gjë pa kuptim, shton kontradiktat midis popullit dhe shërbimit shëndetësor",- pohojnë shefat.