Kriza politike, Bamir Topi nis konsultimet

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, takon ambasadorët: "Të fillojë dialogu politik institucional"
TIRANË - Vetëm në ditën e 7-të grevës së urisë, aty ku gjendja shëndetësore e 22 deputetëve socialistë dhe 200 përkrahësve të saj po rëndohet, Presidenti i Republikës, Bamir Topi është vënë në lëvizje. Ditën e djeshme, Kreu i Shtetit e ka filluar me një takim të zhvilluar me zv.kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta.
Vetëm pas 30 minutash takim, ka qenë Presidenti i Republikës ai që ka lënë zyrën e tij, për të zhvilluar një tjetër takim krejtësisht konfidencial për rreth një orë me Ambasadorin amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, në rezidencën e këtij të fundit. Takimi mes tyre ka qenë i pashoqëruar nga stafet përkatëse, ndërsa palët janë përpjekur të mos bëjnë publike asgjë konkrete rreth bisedës së zhvilluar.
Pas takimit të zhvilluar, Kreu i Shtetit është kthyer sërish në Presidencë, për të zhvilluar takimin e tij të tretë për krizën në vend, pikërisht në mesditë me kreun e delegacionit të Komisionit Europian, Helmut Lohan dhe ambasadorin spanjoll, Manuel Montobio. Të tre takimet konfirmohen nga vetë siti zyrtar i Presidencës.
"Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në mesditë Kreun e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Ambasadorin Helmut Lohan, si dhe Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në vendin tonë, Manuel Montobio de Balanse, me të cilët zhvilloi një bisedë për situatën më të fundit politike në vend.
Ky takim erdhi në vazhdën e disa takimeve të tjera që Kreu i Shtetit ka zhvilluar sot edhe me Zëvendëskryeministrin Meta dhe Ambasadorin amerikan, Xhon Uithers II në rezidencën e këtij të fundit", - thuhet në njoftimin për shtyp. Sipas njoftimit për shtyp, diskutimi është fokusuar mbi krizën politike në vend dhe mbi aksionin politik të opozitës, përmes grevës së urisë.
Për këtë arsye, në njoftimin për shtyp theksohet se nevojitet zgjidhja e situatës politike dhe rifillimi i dialogut politik midis palëve, ku nuk dihet në fakt nëse moderatori i këtij dialogu do të jetë sërish Presidenti Topi, ashtu si në muajin shkurt. "Palët në takim shkëmbyen mendime lidhur me aktualitetin politik, duke iu referuar kryesisht grevës së urisë filluar nga deputetët socialistë dhe mbështetësit e kësaj force politike.
Bashkëbiseduesit vunë theksin në rëndësinë e rifillimit sa më të shpejtë të dialogut politik institucional, i cili është një hap sa i domosdoshëm, aq edhe i rëndësishëm për kapërcimin e situatës së krijuar dhe zgjidhjen e saj në kërkim të ruajtjes së standardeve institucionale dhe të forcimit të vlerave demokratike në Shqipëri dhe ecurisë së suksesshme drejt integrimit të plotë të saj në Bashkimin Europian", - thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Pak ditë më parë, Presidenti i Republikës u shpreh se ishte pro çdo lëvizjeje demokratike.
"Më lejoni të pozicionohem parimisht si Kryetar i Shtetit në mbështetje të gjithçkaje që është demokratike. Do respektoja gjithçka që respekton parimet demokratike, çdo gjë demokratike duhet të aspirohet dhe aplikohet", - u shpreh Topi pak ditë më parë.