E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: “Është koha për solidaritet e bashkëpunim, jo për debate”



Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një vizitë në qytetin e Shkodrës, ku pa nga afër situatën emergjente të krijuar për shkak të përmbytjeve në vend. Kreu i shtetit, pasi zhvilloi një takim pune me anëtarë të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile dhe zyrtarë e drejtues të tjerë të lartë të pushtetit qendror e vendor, u shpreh për mediat se situata është kritike, por në kontroll të plotë. Ai apeloi për maturi, bashkëpunim e solidaritet. Presidenti Topi tha se nuk është koha për debate politike, por është koha që të gjithë të bashkëpunojnë për të kapërcyer këtë situatë. Presidenti njoftoi se për këtë situatë emergjente është kërkuar nga ndihma e partnerëve të ndryshëm dhe e Aleancës së Atlantikut të Veriut, ku Shqipëria bën pjesë. I pyetur për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, presidenti tha se ende nuk është përcaktuar data se kur do të mblidhet, por, sipas tij, mbledhja do të zhvillohet për të përcaktuar planet për të ardhmen, ndërsa për momentin i rëndësishëm është kapërcimi i situatës së emergjencës civile. Gjatë qëndrimit të tij në Shkodër, presidenti pa nga afër situatën në lagjen “Xhabije” si dhe bëri një vizitë në Vaun e Dejës.
Apeli
“Unë u bëj thirrje të gjithëve, pa përjashtim, në këtë situatë, të jenë të gjithë bashkë, të mos hapin debate të panevojshme, pastaj debati ka vendin e vet dhe ky është moment që duhet kaluar. Unë kam bindjen që të gjitha institucionet janë në këmbë. Ne kemi kërkuar ndihmën edhe të shteteve partnere. Natyrisht që unë, bashkë me tjerët, po merremi fort me këtë punë, duke u marrë kryesisht me çështjen e transportit, i cili është bërë më i nevojshëm se kurrë dhe besoj që do të kemi ndihmën e tyre imediate”, - është shprehur kreu i shtetit. Ai e cilësoi situatën shumë të vështirë jo vetëm në Shkodër, por edhe në zona të tjera të vendit. “Natyrisht që është një situatë shumë e vështirë, ndoshta më e vështira. Kjo situatë është jo vetëm në Shkodër, por këtu është rënduar për shkak të specifikave që ka pellgu ujëmbledhës i Shkodrës. Sikurse e kanë thënë dhe specialistët, ky mbledh ujërat e një sipërfaqeje që është gati sa tre të katërtat e Shqipërisë. Situatë e vështirë ka qenë edhe në zonën e Durrësit, në zonën e Librazhdit, por edhe në zona të tjera të Shqipërisë. Situatë krejt kritike ka qenë në gjithë Euopën, diku kjo shprehet diku me borë, diku me shi. Natyrisht që kjo situatë po përballohet nga institucionet e shtetit, po përballohet nga ushtria, nga policia, nga mjekët, po përballohet nga vetë populli”, - është shprehur kreu i shtetit. Presidenti Topi tha se prioritet kryesor aktualisht është evakuimi i banorëve në zonat e përmbytura dhe për këtë nevojitet bashkëpunim dhe solidaritet nga të gjithë. “Unë mendoj që ky moment, sikurse çdo moment tjetër i vështirë, kërkon maturi, kërkon bashkëpunim, pra kërkon atë që e kemi thënë vazhdimisht dhe nuk është një term që përdoret në të tilla raste, kërkon solidaritet. Kërkohet shumë kujdes dhe duhet patjetër që njerëzit, të cilët janë në vështirësi, të dëgjojnë ata që po merren me këtë punë dhe që po e koordinojnë këtë punë. Pra, problem prioritar është çështja e evakuimit dhe kjo duhet të bëhet me rregull dhe me shumë kujdes”, - është shprehur kreu i shtetit.
Në përgjigje të pyetjes se kujt i është kërkuar ndihmë në këtë situatë, presidenti Topi vuri në dukje se “natyrisht që Shqipëria është vend i NATO-s dhe ndihma e parë kërkohet nga vendet aleate, dhe është në parimet e Aleancës që në çdo situatë të vështirë, qofshin këto edhe emergjenca civile, të gjithë janë të detyruar të ndihmojnë. Pra, këto janë çështje të karakterit teknik, por ju siguroj që kjo ndihmë po vjen dhe do të vijë”.
Këshilli i Sigurisë
Lidhur me kohën se kur mund të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Presidenti i Republikës bëri me dije se “nuk është vendosur momenti se kur do të mblidhet, sepse merreni në konsideratë që njerëzit janë të gjithë në terren, bashkëpunimi mes institucioneve është në nivelin më të lartë. Merret informacion, komunikohet, bashkëpunohet. Pra, mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ka karakter jo vetëm për momentin, për dilemën e shumë gjërave, për projekte që nuk janë thjesht në funksion të kësaj emergjence, por projekte mjaft të rëndësishme që kanë të bëjnë me perspektivën. Sepse ju e dini që nuk është vetëm zona e Shkodrës, por në administrimin e pushteteve vendore ka mjaft rezervuare dhe kuptohet që çështjet e motit nuk kanë të bëjnë thjesht me një zonë. Shkodra ka specifikën e vet”, - tha Topi.

Deputetët socialistë zbresin në bazë, solidaritet me banorët e përmbytur

Deputetët e Partisë Socialiste janë shpërndarë gjatë ditës së djeshme në qytetet e përmbytura të vendit për t’iu gjetur pranë banorëve në këto momente të vështira.
Anëtarja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Megi Ajtyresa, në emër të Partisë Socialiste, bëri thirrje dje për të ndihmuar banorët e zonave të përmbytura në këto momente tragjedie. “Sot, mijëra qytetarë shqiptarë, që nga Shkodra, Lezha, Fushë-Kruja, Korça e më tej, po përjetojnë një nga situatat më të vështira e tragjike të imagjinueshme. Shtëpi e toka të përmbytura, puna e mundi i një jete i shkuar dëm nga furia e ujërave. Në këto momente të vështira deputetët e përfaqësuesit e Partisë Socialiste janë shpërndarë anembanë vendit, në të gjitha zonat e dëmtuara e të rrezikuara, që nga Shkodra deri në Korçë, që nga Lezha deri në Gjirokastër, që nga Fushë-Kruja deri në Berat, për t’iu gjendur pranë qytetarëve të prekur nga kjo tragjedi”, - është shprehur Ajtyresa. Ajo tha se në këto momente të vështira, qytetarët e të gjitha zonave të prekura nga përmbytjet kanë nevojë më shumë se kurrë për solidaritetin njerëzor dhe ndihmën e të gjithëve.

Berisha viziton Torovicën, bën thirrje për evakuim

Kryeministri Berisha inspektoi gjatë paradites së djeshme argjinaturën e Torovicës pranë qytetit të Lezhës. Pasi u njoh me situatën, kryeministri tha se kjo është në një nga zonat më delikate dhe më të rrezikshme, pasi pak centimetra e ndajnë pjesën më të lartë të digës nga uji që ka një thellësi prej 6-7 metrash dhe që mund të vërshojë drejt Torovicës dhe më tutje. Duke e cilësuar situatën kritike, kryeministri Berisha u bëri thirrje banorëve që të nisin evakuimin. “Po bëhet gjithçka, por motin nuk e kemi në anën tonë dhe nuk mund të themi sesa do të vazhdojë. Ndaj qëndroni nga një për shtëpi dhe të tjerët, autoritetet e shtabit qendror do t’i strehojnë shumë mirë në Shëngjin. Do të hapim kapacitete strehuese, po mirë është që të mos qëndroni me fëmijët dhe të moshuarit. Në çdo rrethanë, në këtë përmbytje të madhe, e para që ka rëndësi është jeta e njeriut. Ne do të bëjmë çdo gjë që të mos humbasim asnjë jetë njeriu”, - u shpreh kryeministri në thirrjen e tij drejtuar banorëve për evakuim. Berisha tha se ushtria dhe Shtabi i Emergjencës prej 24 orësh po punojnë për të forcuar argjinaturën, por gjithsesi, duket se është i nevojshëm evakuimi i banorëve. “Janë hedhur deri tani mijëra metra kub çakull dhe dhera në zona të caktuara. Në qoftë se ajo nuk do të ishte lartësuar, derdhja në Torovicë do të kishte filluar me kohë. Po punohet me të gjitha kapacitetet për një lartësim sa më të madh të mundshëm të kësaj dige jetike për mbrojtjen e Lezhës, por edhe më shumë se Lezhës, pasi siç e shihni, në anën e Shkodrës fusha është shumë e përhapur, ndërsa këtu është një grykë e ngushtë, e cila do të krijonte problemet më të mëdha. Detyrimisht të fillojmë shpërnguljen e banorëve në Shëngjin dhe të mbetet vetëm nga një njeri në shtëpi, të vendoset një sistem alarmi dhe zona duhet të zbrazet”. Ka qenë kjo thirrja e bërë dje nga kryeministri Berisha.

Rama inspekton zonën e përmbytur në Fushë-Krujë: “Berisha dështoi”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka inspektuar gjatë ditës së djeshme zonën e përmbytur në Fushë-Krujë. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga deputeti Blendi Klosi, ka zhvilluar dhe një takim me banorët e zonës me të cilët ka biseduar për situatën e vështirë. Gjatë takimit me banorët e këtij qyteti Rama u shpreh se “Saliu ka dështuar, pikërisht sepse është faji i tij që të gjitha ato masa që duheshin marrë nuk janë marrë”. Nga ana e tyre, banorët janë shprehur se edhe pse në këtë zonë ka fituar PD-ja, kjo parti nuk është bërë asnjë kanalizim. “Na e kanë marrë votën e s’na kanë bërë asnjë kanalizim. S’ka shtet”, - ka theksuar njëri prej banorëve. Ndërsa një banor tjetër i zonës tha se nuk kanë marrë asnjë lloj ndihme nga shteti. “Ka fituar Partia Demokratike dhe Partia Demokratike s’na ka bërë asnjë kanalizim, asgjë, vetëm na ka përmbyt. Kanë ardhur e kanë marrë votën dhe s’na kanë bërë kanalizime. S’ka shtet këtu, shteti është vetëm me mbush xhepat e vet”, - deklaroi një tjetër banor. Banorët e Fushë-Krujës janë shprehur të irrituar për situatën që po përjetojnë. “I kam dy metra ujë në shtëpi. As bukë në shtëpi nuk kemi”, - u shpreh njëri prej tyre. “Me kalamaj, me të gjithë, jemi duke u mbytur, të marri masa qeveria. I kam fëmijët jetimë, s’kam as dyshek për të fjetur gjumë tashti, isha duke u mbytur. Asnjë lloj ndihme, nuk bëhet fjalë me sjellë ndihma”, - është shprehur një tjetër banore e zonës.

6 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›