Rikthimi i Selamit: “Nuk do të angazhohem në politikën shqiptare”
Eljona Ballhysa
Ish-kryetari i Partisë Demokratike në vitet e para të demokracisë, Eduard Selami, ka deklaruar dje në Tiranë se nuk do të angazhohet në politikën shqiptare. I kthyer në atdhe pas shumë vitesh, Selami bën të ditur se vizita e tij në Shqipëri është me rastin e 20-vjetorit të fillimit të Lëvizjes Studentore, që i dha fund komunizmit në Shqipëri, dhe jo për t’u angazhuar në politikë. Prej shumë vitesh Selami jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por pothuajse çdo vit ai kthehet në atdhe me rastin e 8 Dhjetorit, në kujtim të ditës kur nisën protestat e studentëve në vitin 1990. Gjatë ditës së djeshme Selami është pritur në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me të cilin kanë biseduar për situatën aktuale politike në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij Selami vlerësoi lart kontributin e presidentit Topi në Lëvizjen Studentore.
Deklarata
“Nuk kam ardhur të angazhohem në politikën shqiptare. Nuk është ky qëllimi im, siç e kam thënë dhe kam pasur rastin, ardhja ime në Shqipëri është thjesht për të festuar një ngjarje shumë të rëndësishme, siç është përmbysja e komunizmit dhe vendosja e demokracisë. Me zotin Topi na lidh një miqësi e vjetër. Ai është një nga dëshmitarët e Dhjetorit, por nga ata të fshehtët, që modestia nuk e lë të tregojë kontributin e tij”, - është shprehur Selami në përfundim të takimit me presidentin Topi. Ndërsa gjatë takimit Topi e Selami biseduan rreth situatës emergjente, kryesisht në Shkodër. Ata shkëmbyen mendime dhe pikëpamje mbi rrjedhën dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri gjatë këtyre njëzet vjetëve të fundit, forcimin e institucioneve të pavarura dhe shtetit të së drejtës, arritjet e vendit në drejtim të integrimit euroatlantik dhe sfidat me të cilat duhet të përballemi në të ardhmen, me synim përmbushjen e plotë të aspiratave të popullit shqiptar për t’u bërë anëtarë të denjë të familjes së madhe europiane.
Vetëm pak ditë më parë, në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, Selami ka kritikuar politikën shqiptare, e cila dështoi në marrjen e statusit në BE duke mos përmbushur ëndrrën 20-vjeçare. “Unë mendoj se një demokraci funksionale ka nevojë për të dyja palët. Sa më parë të kuptohet kjo, aq më mirë është. Elita politike shqiptare nuk duhet të mbajë peng ëndrrën dhe dëshirën e shqiptarëve për një Shqipëri europiane të përparuar. Rrethanat ndërkombëtare si rrallë ndonjëherë kanë qenë në favor të Shqipërisë në këto 100 vjet të krijimit të shtetit shqiptar. Elita politike shqiptare duhet ta shikojë me përgjegjësi këtë anë dhe duhet t’i shërbejë më mirë misionit të plotësimit të ëndrrave të shqiptarëve”, - është shprehur Selami.
Angazhimi
Eduard Selami ka qenë një prej themeluesve të Partisë Demokratike. Ai u zgjodh kryetar i kësaj partie në kohën kur Sali Berisha u zgjodh president i vendit. Për shkak se nuk lejohej që të mbahej njëkohësisht si posti i kryetarit të partisë dhe ai i presidentit, Berisha dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të PD-së. Në këtë kohë u zhvilluan zgjedhje brenda PD-së dhe kryetar u zgjodh Eduard Selami. Ai qëndroi në këtë post deri në vitin 1994. Në këtë vit u rrëzua Kushtetuta e propozuar nga presidenti Berisha dhe Selami kërkoi ndryshime në Statusin e PD-së, duke kërkuar njësimin e postit të kryetarit me atë të kryeministrit, ashtu sikurse është e sanksionuar sot në Statutin e PD-së. Por, në atë kohë kjo kërkesë ishte e parakohshme, çka solli shkarkimin e menjëhershëm të Selamit. Madje ai nuk u lejua të futej në selinë e PD-së dhe të merrte pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të kësaj partie. Ky vit shënoi largimin e Selamit nga Shqipëria dhe emigrimin e tij drejt SHBA-ve.
Në vitin 2005, kur Berisha krijoi KOP-in duke afruar një pjesë të të larguarve, u duk sikur pati një afrim të Selamit në PD, por emri i tij nuk u përfshi në listat e kandidatëve të PD-së për deputetë. Kohët e fundit emri i tij është lakuar në korridoret e politikës si një ndër kandidatët e mundshëm të PD-së për Bashkinë e Tiranës, por duket se ende nuk ka një ftesë zyrtare në këtë drejtim për shkak se vetë Selami deklaroi dje se nuk do të angazhohet në politikën shqiptare.
Topalli takon ambasadorin Arvizu, vlerësohet bashkëpunimi mes dy vendeve
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në një takim ambasadorin e ri të SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Gjatë takimit, kryetarja e Kuvendit e siguroi ambasadorin Arvizu se shqiptarët janë populli më pro amerikan dhe shumë mirënjohës për mbështetjen e SHBA-ve, si në pavarësinë e vendit të tyre, në krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe gjatë gjithë historisë së pluralizmit demokratik. Gjatë fjalës së saj Topalli kërkoi intensifikimin e shkëmbimeve me Kongresin Amerikan për të mundësuar shkëmbimin e eksperiencave me anëtarë të Kongresit, si dhe njohjen më nga afër të Shqipërisë nga ana e tyre. “Jam shumë i nderuar t’ju takoj. Roli juaj është shumë i rëndësishëm dhe kam dëgjuar për punën tuaj me përkushtim. Ju keni një karrierë të admirueshme në vijimësi, që e admiroj. Unë pres me kënaqësi të punojmë së bashku, dhe jam i hapur për bashkëpunim. Ndaj me ju mendimin për rëndësinë e bashkëpunimit interaktiv ndërmjet të zgjedhurve të vendeve tona dhe do të ndihmoj në këtë drejtim”, - është shprehur ambasadori Arvizu gjatë fjalës së tij. Lidhur me punën në Parlament, Topalli u shpreh se “Parlamenti ka luajtur dhe luan një rol fondamental në reformat për zhvillimin dhe proceset integruese të Shqipërisë dhe vetëm në këtë periudhë janë miratuar 300 ligje, vendime dhe rezoluta jetike për vendin, pavarësisht nga vështirësitë artificiale, që është detyruar të përballet”. Gjithashtu biseda u ndal në zhvillimet politike, ku ambasadori amerikan theksoi se respektimi i shtetit ligjor është shumë i rëndësishëm dhe SHBA u përmbahen fort vlerave dhe parimeve themelore të demokracisë. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi shumë mbështetjen e administratës amerikane që i jepet Shqipërisë përmes USAID-it në mënyrë të veçantë të projekteve të Sfidave të Mijëvjeçarit të Ri, si ato në luftën kundër korrupsionit, transparencës së institucioneve, dixhitalizimit të sistemit të bizneseve, taksave dhe doganave etj. Ambasadori amerikan gjeti rastin të shprehë mbështetjen e plotë të SHBA për përballimin e situatës së përmbytjeve në qarkun e Shkodrës, çka u vlerësua shumë nga kryetarja e Kuvendit.
Vizita në SHBA
Klinton me Haxhinaston: Shqipëria, aleate e rëndësishme për SHBA-të”
“Shqipëria është një partnere dhe aleate e rëndësishëm”. Kjo është deklarata që sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, ka bërë
pas takimit me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i cili ndodhet për një vizitë në SHBA. Në studion e Zërit të Amerikës, Haxhinasto tha se gjatë bisedës, Klinton vlerësoi kontributin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe tha se SHBA e konsideron Shqipërinë si një aleate të vyer. “Synimi i takimit ishte riafirmimi i miqësisë së jashtëzakonshme mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, si dhe diskutimi i axhendës bilaterale për rritjen e volumit të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve”, - tha Haxhinasto. “Kemi folur për rolin në rritje të Shqipërisë në përballimin e sfidave si anëtar
i NATO-s. Është vlerësuar trajnimi që trupat shqiptare po u bëjnë atyre afgane”, - vazhdoi ministri i Jashtëm. Ai vuri në dukje se me sekretaren e Shtetit, Klinton, ka folur edhe për rajonin, ku është vlerësuar kontributi i Shqipërisë, ndërsa është kërkuar një dinamikë e re e procesit të njohjeve kundrejt Kosovës. Gjatë vizitës së tij zyrtare në SHBA, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, ka zhvilluar një takim edhe me senatorin republikan Xhon Mekein. Gjatë takimit bashkëbiseduesit diskutuan lidhur me angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit, veçanërisht kontributin e vendit tonë në Afganistan. Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme informoi senatorin Mekein lidhur me progresin dhe arritjet e qeverisë shqiptare në të gjitha fushat, duke vënë theksin tek lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Senatori Mekeinn nga ana e tij, vlerësoi në mënyrë të veçantë arritjet dhe progresin që Shqipëria ka bërë në rrugën e demokracisë, duke e cilësuar atë si një histori suksesi. Më tej, ai theksoi se duhet të bëhet më shumë që këto arritje dhe suksese, t’i bëhen të njohura të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Senatori Mekein falënderoi ministrin Haxhinasto për kontributin e Shqipërisë në Afganistan me kontingjentin e trupave të dërguara atje. Gjithashtu, senatori Mekein vlerësoi kontributin e Shqipërisë në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes vendeve të rajonit dhe në krijimin e një klime politike bashkëpunimi e zhvillimi. Në këtë kontekst u nënvizua edhe roli i pozitiv i shtetit të ri të Kosovës, si faktor stabiliteti në rajon. Ministri Haxhinasto vlerësoi lart rolin dhe kontributin që senatori Mekein ka dhënë për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke nënvizuar anëtarësimin në NATO, si dhe për pavarësinë e Kosovës.
10 Dhjetor 2010