E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet vendore, si do të përzgjidhen kandidatët e PD-së



Partia Demokratike do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm përgatitjet për zgjedhjet e majit për pushtetin vendor. Burimet nga selia blu kanë bërë të ditur se në muajin janar do të mblidhet Kryesia Qendrore e Partisë Demokratike, e cila do të diskutojë për zgjedhjet vendore, për ndarjen e punës në të gjitha prefekturat dhe bashkitë e vendit, si dhe për çeljen e fazës së propozimeve nga baza për kandidatët për kryetarë bashkish dhe komunash. Burimet bëjnë të ditur se ky proces do të jetë transparent dhe do të realizohet në përputhje me statutin e partisë.
Kandidatët
Sipas burimeve, fillimi i vitit të ardhshëm, që shënon fillimin e një viti të ri elektoral, do të nisë me punë në selinë blu. Fillimisht pritet të mblidhet Kryesia Qendrore, e cila ka mëse një vit që nuk zhvillon asnjë mbledhje. Në këtë forum të lartë vendimmarrës do të përcaktohet strategjia që do të ndiqet në zgjedhjet vendore të 8 majit. Përsa u përket emrave të kandidatëve, fillimisht ky proces do të nisë nga baza. Pra do të jenë anëtarët e thjeshtë të PD-së që do të propozojnë emrat e kandidatëve për kryetarë bashkish apo komunash. Emrat do të propozohen në mbledhjet e seksioneve dhe grup-seksioneve dhe më pas do të kalojnë kryesisë së nëndegës së PD-së në të gjitha rrethet e vendit. Kjo strukturë drejtuese do të bëjë seleksionimin e emrave të propozuar dhe disa prej tyre do t’ia përcjellë Kryesisë Qendrore të Partisë Demokratike në Tiranë. Burimet bëjnë të ditur se i gjithë procesi i seleksionimit të kandidatëve do të bëhet në bashkëpunim nga kryesitë, kryetarët e degëve, deputetët e qarqeve, të cilët do të identifikojnë kandidaturat për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive dhe të komunave. Por, në fund, për të përcaktuar kandidatin për kryetar bashkie apo komune në çdo qark të vendit, do të jetë kryetari i partisë, Sali Berisha, i cili do të vendosë në bashkëpunim me deputetët e zonës dhe me anëtarët e Kryesisë Qendrore të PD-së.
Rreziku
Burimet bëjnë të ditur se edhe në këto zgjedhje do të ndiqet e njëjta strategji që është ndjekur në zgjedhjet e kaluara. Pra kryetarët aktualë të bashkive dhe komunave në të cilat PD-ja ka rezultuar me humbje në zgjedhjet e fundit parlamentare, pritet që të rrezikojnë kandidimin për një tjetër mandat. Por kështu rrezikojnë kandidimin për një tjetër mandat kryetarët aktualë të bashkive dhe komunave, të cilët nuk kanë marrëdhënie të mira me deputetin e zonës. Megjithatë, kriteret e mëtejshme për përzgjedhjen e kandidaturave do të përcaktohen në mbledhjen e Kryesisë Qendrore të Partisë Demokratike, që pritet të mbahet në muajin janar të vitit të ardhshëm.

Statuti
Neni 34
1- Kandidaturat për zgjedhjet në pushtetin lokal e për Kuvendin e Shqipërisë konsultohen nga e gjithë anëtarësia e PD-së.
2- Kryesia e nëndegës formulon propozimet në emër të saj, sipas procedurave të përcaktuara nga Kryesia e PD-së dhe ia paraqet kryesisë së degës.
3- Kryesitë e degëve vendosin për kandidaturat e këshilltarëve lokalë (komuna, bashki, qark). Për bashkitë e kategorisë së parë, lista e këshilltarëve të përgatitur nga kryesia e degës miratohet nga Kryesia e PD-së. Me orientim të Kryesisë së PD-së, kryesitë e degëve mund të vendosin edhe për kandidatët e PD-së për kryetarë lokalë me më pak se dy mijë votues.
4- Kryesia e PDSH duhet të informohet për çdo hap të procesit të daljes së kandidaturave. Ajo ka të drejtën e ndërhyrjes sa herë që e sheh të domosdoshme.

Bllokohen zgjedhjet në PD, nuk konstituohet Këshilli i ri Kombëtar

Për pak ditë PD-ja mbush një vit që ka zgjedhur Këshillin e ri Kombëtar, por që ende nuk e ka konstituuar atë. Si rrjedhojë, moskonstituimi i Këshillit Kombëtar mban të bllokuar procesin zgjedhor në selinë blu, mosfunksionimin e Kryesisë Qendrore dhe Sekretariatin, anëtarëve të të cilëve u ka përfunduar mandati. Madje, askush nga PD-ja nuk e di se kur do të mblidhet Këshilli Kombëtar. Kjo për faktin se në Statutin e ri nuk është përcaktuar asnjë afat për mbledhjen e tij. Madje, në ndryshimet që u miratuan në Kuvendin Kombëtar, që i zhvilloi punimet më 14 dhjetor 2009, u hoq dhe pika që parashikonte se Këshilli Kombëtar mblidhet të paktën dy herë në vit. Kjo dispozitë nuk është zbatuar ndonjëherë, por me heqjen nga Statuti mbeten pezull ndryshimet e njoftuara në PD. Në Statut është parashikuar vetëm fakti se “mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret kryetari ose sekretari i Përgjithshëm, me miratim të kryetarit në marrëveshje me Kryesinë e Partisë. Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe nëse e kërkon ¼ e anëtarëve të tij. Në këtë rast, kryetari thërret mbledhjen jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës. Data e mbledhjes dhe rendi i ditës duhet t’u njoftohen anëtarëve jo më vonë se 5 ditë para zhvillimit të mbledhjes”. Mosmbledhja e Këshillit Kombëtar tejkalon mandatet e Topallit, Bodes, Patozit si dhe sekretarëve të tjerë të partisë. Me përjashtim të kryetarit Sali Berisha, drejtuesit e tjerë nuk janë rikonfirmuar zyrtarisht dhe me procedurë të rregullt në detyrat që ushtrojnë. Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, struktura e cila duhet ta bëjë këtë veprim, nuk është mbledhur dhe as nuk dihet se kur mund të mblidhet. Në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar pritet të zgjidhen emrat e anëtarëve të Kryesisë së re Qendrore të PD-së, si dhe emrat e sekretarëve të rinj.

6 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›