E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama prezanton planin trepikësh të PS-së për zonat e përmbytura



Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka prezantuar dje përpara deputetëve socialistë një plan 3-pikësh për të shmangur përmbytjet në zonën veriperëndimore të vendit. Ndërsa ka bërë një analizë të gjatë të situatës në Shkodër, Rama ka thënë se kjo nuk ka ardhur si pasojë e një fatkeqësie natyrore, por për shkak se për vite me radhë nuk është vënë dorë nga shteti në mbrojtjen e mjedisit dhe në parandalimin e një situate të tillë. Plani i Ramës parashikon miratimin e një moratoriumi që ndalon shfrytëzimin e shtretërve të lumenjve, forcimin e dënimeve në Kodin Penal ndaj personave që presin pyjet, si dhe rishikimin e buxhetit duke e përqendruar shumicën e investimeve në shmangien në të ardhmen të përmbytjeve të ngjashme.
Plani
Gjatë fjalës së tij Rama tha se me një llogari të përafërt, dëmi minimal nga këto përmbytje kap shifrën e 260 milionë eurove. Ai propozoi që shpenzimet qeveritare t’u kalojnë këtyre zonave, duke ndërhyrë për një zgjidhje afatgjatë të problemit, përndryshe, sipas Ramës, vendi rrezikon rikënetëzimin. “Të marrim tre lloj masash. Të miratojmë një moratorium minimalisht trevjeçar për shtretërit e lumenjve, në mënyrë që të mos shfrytëzohen me qëllim nxjerrjen e lëndës së parë për ndërtim. Duhet konsideruar gjithashtu hartimi i ndryshimeve në Kodin Penal për veprat e dënueshme penalisht lidhur me cenimin e pyjeve, të lumenjve dhe mjedisit, duke i sjellë këto vendime sipas standardeve europiane. Një tjetër pikë që propozojmë ne është rialokimi drastik i buxhetit të vitit 2011 për shpenzimet e kësaj lufte me këto fenomene që duhen konsideruar dhe trajtuar si një armik që kërcënon sigurinë e vendit tonë”, - është shprehur Rama gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Grupit të PS-së.
Akuzat
Kryesocialisti edhe një herë kundërshtoi tezën e kreut të maxhorancës, sipas të cilit, përmbytjet nuk janë gjë tjetër veçse fatkeqësi natyrore. Përkundrazi, sipas Ramës, kjo situatë ka ardhur si pasojë e masave të munguara për vite me radhë, por veçanërisht viteve të fundit. “Vetëm fatkeqësi natyrore nuk është kjo që ndodh në mënyrë të përsëritur dhe që është e jashtëzakonshme në përmasa. Fatkeqësisht po bëhet e zakonshme sepse është momenti i ballafaqimit me falimentimin e shtetit dhe të një politike të vjetër, injorante, e cila ka mbërritur sot në kulmin e fuqisë së vet shkatërruese. Fatkeqësisht, qoftë edhe nga konsultat me ekspertë, por edhe nga programi ynë, faktet flasin fare qartë se gjendja katastrofike mbi gjithë territorin e vendit është rezultat i braktisjes së detyrës nga shteti, jo sot, por prej 20 vjetësh. Shqipëria është një vend i ekspozuar për pozicionin e vet gjeografik nga erozioni, por jo ndaj kënetëzimit si proces natyror”, - theksoi Rama. Ai shtoi se gjendja e kullimit është katastrofike. “Gjendja ishte tërësisht e parandalueshme, por gjendja e kullimit është katastrofike dhe Berisha nuk ka nxjerrë asnjë mësim nga ato që kanë ndodhur”, - shtoi Rama.
Kryetari i opozitës e vuri theksin te shkrirja, sipas tij, e instituteve shkencore, me specialistë të mirëfilltë në studimin dhe parandalimin e fenomeneve të përmbytjeve dhe të rrëshqitjes së tokës, të cilat, deklaroi ai, janë duke u shndërruar në apokaliptike për vendin tonë. Gjatë fjalës së tij Rama akuzoi kryeministrin Berisha për pasojat e kësaj situate. “Argjinatura e Torovicës është provë për të kuptuar se përmbytjet janë rezultat i dështimit të Berishës. Ishte e dhimbshme dhe qesharake të shihje se fati i asaj argjinature ishte në dorën e Nikollë Lesit. Nëse ai nuk do të kishte qëndruar atje ditë-natë dhe nëse nuk do të kishte hedhur gurë e dhè me mjete rrethanore, rreziku mund të mos ishte përballuar”, - tha Rama.

Kryqi i Kuq Shqiptar do të japë kontributin e tij në zonat e përmbytura

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në një takim kreun e Kryqit të Kuq Shqiptar, Shyqyri Subashi. Gjatë këtij takimi ata biseduan për situatën në veriperëndim të vendit. Presidenti Topi vlerësoi veprimtarinë dhe kontributin që Kryqi i Kuq Shqiptar ka dhënë dhe po jep në ndihmë të banorëve të prekur nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shumta të ditëve të fundit, kryesisht në pjesën veriperëndimore të vendit. Në këtë kuadër, kryetari i shtetit shprehu gatishmërinë e plotë personale dhe institucionale për të vijuar dhe rritur akoma edhe më tej bashkëpunimin dhe koordinimin në mbështetje të punës vullnetare dhe humanitare dhe rritjes së ndjeshmërisë e solidaritetit njerëzor. Gjatë takimit, presidenti Topi u informua në mënyrë të detajuar nga Kreu i Kryqit të Kuq Shqiptar, Shyqyri Subashi, lidhur me masat që janë ndërmarrë në këtë situatë të rënduar dhe strategjive për furnizimin me ushqime dhe veshmbathje, ardhjen në ndihmë dhe asistencën psiko-sociale e solidaritetin njerëzor për të gjitha familjet, sidomos ato më në nevojë. Nga ana e tij, kreu i Kryqit të Kuq Shqiptar siguroi se organizata e pavarur që ai drejton do të vazhdojë të kryejë me profesionalizëm dhe përkushtim të plotë misionin e saj edhe nëpërmjet bashkëpunimit në rritje me përfaqësitë e vendeve të tjera të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.

Topi pret ministren e Mbrojtjes së Sllovenisë, kërkon ndihmë për zonat e përmbytura

Presidenti i Republikës, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave tona të Armatosura, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim me ministren e Mbrojtjes së Sllovenisë, Ljubica Jelushiç.
Duke iu referuar dhe situatës së rënduar të krijuar në veriperëndim të Shqipërisë për shkak të përmbytjeve të ditëve të fundit, kryetari i shtetit nënvizoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke kërkuar në mënyrë të veçantë ndihmën dhe përvojën e Sllovenisë, si vend partner dhe aleat në NATO, për rritjen e efektshmërisë në raste emergjencash civile. Në këtë takim, presidenti Topi vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit bilateral të shkëlqyeshëm midis dy vendeve tona dhe shprehu besimin se rritja e kapaciteteve të këtij bashkëpunimi, në kuadër edhe të aleancës së përbashkët në NATO, do të ishte një kontribut i vlefshëm jo vetëm për rritjen e paqes dhe sigurisë në rajon, por edhe më gjerë. Ministrja e Mbrojtjes sllovene, Ljubica Jelushiç, e falënderoi presidentin Topi për pritjen e rezervuar. Në këtë takim zonja Jelushiç vuri në dukje interesimin e palës sllovene për vijimësinë e bashkëpunimit shumë të mirë midis Forcave të Armatosura të dy vendeve tona dhe strukturave të tyre edhe në kuadër të misioneve të përbashkëta paqeruajtëse si në Bosnjë-Hercegovinë dhe aktualisht në Afganistan.

Haxhinasto, vizitë 3-ditore në SHBA, me ftesë të Klintonit

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, u nis dje për një vizitë zyrtare treditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ftesë të sekretares amerikane të Shtetit, Hilari Klinton. Në Uashington, ministri Haxhinasto do të pritet në një takim të veçantë nga sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton, ku do të diskutohet mbi çështje të bashkëpunimit dypalësh, zhvillimet në rajonin e Ballkanit, bashkëpunimin si dy vende anëtare të NATO-s etj. Në kuadër të kësaj vizite, ministri Haxhinasto do të ketë takime në Shtëpinë e Bardhë, si dhe në Kongresin Amerikan me kongresistë dhe senatorë. Gjatë vizitës, ministri Haxhinasto do të ketë një takim edhe me përfaqësues të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, gjatë së cilës do të nënshkruhet edhe një Memorandum Mirëkuptimi midis Ministrisë së Jashtme dhe Këshillit, për bashkërendimin e aktiviteteve të përbashkëta për çështje të interesit kombëtar.

Luixhi Brusa: “Politika shqiptare duhet të gjejë konsensusin”

Bashkimi Europian i kujton politikës shqiptare 12 porositë e opinionit për vitin 2011. Luixhi Brusa, shefi në detyrë i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, bën thirrje për konsensus mes pozitës dhe opozitës në Shqipëri. “Jo shumë kohë larg, Komisioni Europian publikoi opinionin e tij për Shqipërinë dhe ka një listë me rekomandime në të për politikën tuaj. Besoj se ato duhet të jenë udhërrëfyesi. Partitë politike patjetër që duhet të drejtohen nga ky opinion dhe 12 rekomandimet e tij. Kjo është rruga e drejtë. Dhe ne besojmë se ata do e gjejnë mënyrën të bashkëpunojnë për të realizuar”, - është shprehur Brusa. Deklarata e Luixhi Brusës vjen në një kohë kur pritet përgjigjja zyrtare e maxhorancës mbi ofertën e Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve. Komentet ai i bëri gjatë ceremonisë së dhurimit të një kolazhi librash mbi unionin për Qendrën e Informimit të BE-së në Tiranë nga Ambasada e Spanjës.

8 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›