E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi takon Ivanov: Rritje të bashkëpunimit mes dy vendeve

Kreu i shtetit Bamir Topi është takuar sot me homologun maqedonas Gjorgje Ivanov, në prani të dy delegacioneve zyrtare përkatëse.
Të dy presidentit diskutuan për çështje të rëndësishme e me interes të ndërsjellë, në zhvillimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, duke shprehur dëshirën dhe vullnetin për rritjen e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, për investime të përbashkëta në hapësirat dhe infrastrukturën që mundëson përdorimin e frytshëm të resurseve turistike, e veçanërisht në fushën kulturore-artistike.
 

Duke nxjerrë në pah rolin e rëndësishëm të faktorit shqiptar në Maqedoni, si në element qëndrueshmërie, bashkëpunimi dhe kontribues në proceset e rëndësishme integruese të shtetit maqedonas, Topi nënvizoi se Shqipëria dhe Maqedonia do të vazhdojnë të angazhohen maksimalisht për arritjen e një niveli të lartë marrëdhëniesh, jo vetëm të fqinjësisë së mirë, por edhe ato të integrimit evropian.

“Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Maqedoninë janë e do të mbeten në vazhdimësi një përparësi e patjetërsueshme e politikës së jashtme të Shqipërisë duke mirëpritur anëtarësimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike në funksion të forcimit të sigurisë dhe stabilitetit në rajon” theksoi Topi.
 

Nga ana e tij, Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov, pasi shprehu kënaqësinë e veçantë të takimit me Presidentin Topi, për rolin konstruktiv dhe moderues në mjaft procese të rëndësishme integruese të Shqipërisë, vuri në dukje se bashkëpunimi gjithnjë e në rritje mes Krerëve të Shteteve të Ballkanit e më gjerë, do të ndikojë pa diskutim në të ardhmen e përbashkët integruese evropiane, por dhe të mbarë rajonit.
 

Takimi zhvillohet në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e 10-të të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›