Aksidenti, Berisha falenderon qytetarët e Himarës për ndihmën
Gjatë vizitës në jug të vendit Kryeministri Berisha është ndalur në qytetin e Himarës, ku zhvilloi një takim me autoritetet lokale të Bashkisë së Himarës, dhe mjekun e Spitalit të Himarës, Spiro Guta, për t`i falënderuar ata, të cilët, së bashku me shumë qytetarë të zonës, dhanë ndihmën e parë për të shpëtuar të plagosurit e aksidentit tragjik të ndodhur disa ditë më parë në Himarë. Po ashtu Kryeministri vendosi një buqetë me lule në vendin ku ndodhi aksidenti tragjik dhe u përul në nderim të viktimave të kësaj tragjedie, që trishtoi zemrën e çdo shqiptari.
“Dua t`ju shpreh edhe njëherë falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë të të gjithë shqiptarëve, për reagimin e shpejtë, eficent, njerëzor, të përgjegjshëm që bënë qytetarët e Himarës ndaj asaj tragjedie shokuese për të gjithë shqiptarët, reagim i cili shpëtoi shumë jetë, sepse nëse nuk do ishte ajo ndihmë e parë, ajo nxjerrje nga rrënojat e autobusit, ndoshta jetë të tjera do kishim humbur. Edhe ju keni bërë punë shumë të madhe, mjekët këtu kanë bërë punë shumë të madhe me ekipin e vet dhe me ato mjete që patën. Ajo ishte një ngjarje shumë tronditëse, por në atë fatkeqësi, ju në radhë të parë dhe më pas, të gjitha institucionet, reaguan me shpejtësinë më të madhe të mundshme dhe bënë që të shpëtohej ajo që mund të shpëtohej”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Pak ditë më parë 13 studentë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit humbën jetën gjatë një aksidenti, pasi autobuzi me të cilin udhëtonin doli nga rruga në zonën e e quajtur Qafa e Vishës në afërsi të Himarës.