E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjata: Për zgjedhjen e presidentit nuk duhet kuorumi

TIRANË Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Rustem Gjata deklaroi dje se nuk është i nevojshëm kuorumi prej 84 deputetësh për të filluar raundet e votimit për zgjedhjen e presidentit. ”Neni 87 i Kushtetutës, as në mënyrë të tërthortë nuk i referohet kuorumit, por bën fjalë vetëm për votimin. Presidenti zgjidhet me së paku me 3/5-at e votave, pra pjesëmarrja s’është objekt, por votimi. Shkak për moszgjedhjen e presidentit mund të jetë mospjesëmarrja, por pavlefshmëria duhet të shprehet shprehimisht. Shkak për moszgjedhjen e presidentit mund të jetë mospjesëmarrja e mjaftueshme, por pavlefshmëria duhet të shprehet shprehimisht në Kushtetutë, siç ndodh për funksione të tjera. Për shembull, në nenin e parë për zgjedhjet e Prokurorit, Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe funksione të tjera të tilla, shkruhet shprehimisht se ai duhet të ketë dorëzuar më parë çdo detyrë, si deputet, ministër etj. Neni i dytë thotë që çdo mandat i fituar në kundërshtim me këtë dispozitë është i pavlefshëm. Neni 87 për presidentin nuk e thotë këtë”, - shprehet Gjata. Lidhur me një kërkesë të mundshme të PS-së në Gjykatën Kushtetuese pikërisht për kuorumin e papërcaktuar, Gjata u përgjigj: ”Proceduralisht, çdo njeri ka të drejtë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese edhe me kërkesën më absurde. Proceduralisht nuk ka konflikt, por është e rëndësishme të mendohet përpara nëse kërkesa qëndron”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›