E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi u bën thirrje për dialog partive politike: “Çështja e kartave, shqetësuese”

“Duhet t’u bëni thirrje qytetarëve të aplikojnë për letërnjoftimet”. Presidenti shprehet se ka ende kohë që partitë të gjejnë gjuhën e përbashkët

Eljona Ballhysa
Në kulmin e debateve politike për çështjen e kartave të identitetit, ka reaguar dje dhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Ai e ka cilësuar këtë një çështje shqetësuese, por jo pesimiste. Presidenti Topi, duke sjellë në vëmendje rolin e tij negociues dhe dialogues kur ka qenë pjesë e PD-së, ka nënkuptuar se të njëjtën gjë duhet të bëjnë aktualisht partitë politike. Sipas tij, është e nevojshme që të gjitha forcat politike në Shqipëri të kenë të njëjtin qëndrimin për çështjen e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Presidenti u ka bërë thirrje partive që të ndikojnë te qytetarët, në mënyrë që t’i nxisin këta të fundit për të aplikuar për letërnjoftimet elektronike. Por presidenti Topi ka shmangur pyetjen e gazetarëve nëse do të jetë iniciator i organizimit të një tryeze me aktorët e politikës shqiptare për të gjetur një zgjidhje për çështjen e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime.
Thirrja
“Unë besoj që ka vend për angazhim, për preokupim, por nuk besoj që ka vend për pesimizëm. Unë, jo vetëm me cilësinë e pozicionit që kam, por edhe në të kaluarën, kur kam qenë në një pozicion që më duhej të dialogoja, asnjëherë nuk hiqja dorë nga angazhimi i të gjithëve për të përmbyllur me sukses atë që konsiderohet më e rëndësishme për demokracinë shqiptare, zgjedhjet politike të 28 qershorit”, - është shprehur presidenti Topi, i cili ka përsëritur edhe njëherë thirrjen drejtuar shtetasve shqiptarë të aplikojnë për të marrë kartën e identitetit.
“Kështu që unë u bëj thirrje edhe njëherë dhe nuk do ta teproj duke e bërë këtë thirrje. Të dashur bashkatdhetarë! Shkoni aplikoni! Aplikoni, sepse nuk është thjesht në funksion të zgjedhjeve, por për shumë, për shumë aksese që ju keni në administratë e mbi të gjitha për të respektuar vetveten. Secili duhet të identifikohet”, - është shprehur Topi.
Thirrja e dytë e tij u është drejtuar partive politike për të gjetur gjuhën e përbashkët për këtë çështje. “E dyta, një thirrje për partitë politike. Të gjithë duhet të sintonizohen në shqetësimin, të gjithë të kenë një zë, të gjithë t’u bëjnë thirrje përkrahësve të tyre, asaj pjese të popullsisë që mund të jetë indiferente ndaj partive politike, t’u bëjnë thirrje që të shkojnë të aplikojnë dhe të gjithë së bashku të kontribuojmë që zgjedhjet e 28 qershorit të jenë një ditë feste për Shqipërinë, për demokracinë”, - është shprehur Topi.
Tryeza
I pyetur lidhur me mundësinë për thirrjen nga President i Republikës të një tryeze të partive politike, presidenti Topi u përgjigj se ka ende kohë që kjo çështje të zgjidhet midis partive politike pa ndërhyrjen e tij. “Unë mendoj që ende partitë politike, administrata, duhet të gjejnë angazhimin dhe besoj që është angazhimi, për të ardhur pastaj pa diskutim në një kohezion të të gjitha forcave politike. Besoj që të gjithë kanë mundësinë dhe shansin që të angazhohen dhe të prononcohen. Është gjëja më e thjeshtë që mund të bëjë një politikan, të prononcohet në funksion të asaj që është e rëndësishme. Dhe ju besoj që do të kontribuoni që ta mbani gjallë dhe për të bërë thirrjet e duhura, se pa median, që është interlokutori më i rëndësishëm publik, nuk realizohet gjë”, - është shprehur Presidenti i Republikës.

20 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›