E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi uron të krishterët me rastin e Krishtlindjeve

Përmes një mesazhi urimi me rastin e Festës së Krishtlindjeve, presidenti Topi ka uruar të gjithë të krishterët shqiptarë kudo ndodhen. Këtë mesazh Topi ia ka përcjellë edhe përfaqësuesve të besimit të krishterë në Shqipëri. 

TIRANE- Presidenti i Repubikës Bamir Topi u shpreh urimet më të mira gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë kudo ndodhen, përmes një mesazhi dërguar për Festën e Krishtlindjes, Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumtërisë së Tij, Anastasios Janullatos dhe Arqipeshkvit të Metropolit Tiranë-Durrës, Imzot Rrok Mirdita.
“Në prag të festës së madhe të Krishtlindjes, ju uroj të gjithëve përzemërsisht ta gëzoni këtë ditë të shënuar të lindjes së shpresës e të forcimit të besimit tek Zoti dhe tek mesazhet humaniste që ajo përcjell. Në këtë ditë feste dalin në pah ndjenjat më të mira të mirësisë dhe harmonisë që karakterizojnë të gjithë shqiptarët pa dallim, duke i vënë ato në shërbim të prosperitetit të shoqërisë e të ardhmes integruese të vendit tonë.
Uroj që Krishtlindja t’ju ketë gjetur me më shumë paqe në vetvete dhe devotshmëri e mirëkuptim njerëzor. Shëndet e mbarësi për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë e punojnë”! - thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit Topi. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›