E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi versus Topalli: Clash of Civilizations

Share

Presidenti Topi ka qenë në Shkodër për të marrë pjesë në homazhet e bëra përpara trupit pa jetë të aktorit të njohur shkodran Ndrekë Prela, dhe më pas, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, ka folur dhe për çështje të politikës korrente, e sidomos për debatin lidhur me kthimin që ai vetë i ka bërë ligjit mbi importin e plehrave. Iu kërkua dhe një opinion lidhur me deklaratat e kryetares së parlamentit mbi celulat anti-europiane, dhe Topi nuk e pa të udhës ti shmangej ballafaqimit në distancë me Topallin. Madje u duk i kënaqur që kish rast të thosh diçka për të në Shkodër, në qytetin e saj; tha dy fjalë, të cilat i mbylli me frazën veçantërisht pickuese: së paku në komunikim të jetë qytetare dhe të flasë gjuhën shqipe në mënyrë korrekte.

Kryetarja e parlamentit nuk priti gjatë. Nxorri zëdhënësen e saj të thosh, se Topalli flet me krenari dhe vetëdijë shqipen më të bukur, atë me të cilën foli Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Migjeni, Luigj Gurakuqi. Atë gjuhë Haxhi Qamili nuk e kupton dot. Hm, ky duket një terren i rrezikshëm. A nuk do ish mirë që kreu i një institucioni të rëndësishëm kombëtar e shtetëror të kish respekt edhe për ata që flasin një shqipe të ndryshme, po aq të bukur (por jo më të bukur se) sa e saja? Duket se as që i ka shkuar në mendje kjo pyetje.

Mbaroi me kaq? Jo. Në harkun e një kohe të shkurtër, doli një njoftim i presidencës, ku thuhet, se po të ishin gjallë Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Migjeni e Luigj Gurakuqi, do të ndiheshin të fyer nga kush i përfaqëson me mungesën e etikës, kulturës politike e institucionale dhe respektit për shqipen zyrtare në Republikën e Shqipërisë. Duket si luftë civile në botën e institucioneve. Duket dhe si një betejë qytetërimesh, dhe kjo e fundit afërmendsh është e tepërt, përçarëse e sektare. Mund tna i kursejnë.

Respublica.al

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›