E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi vizitë në familjen e poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi

Anëtarët e familjes Blloshmi, shprehën “mirënjohje për vlerësimin e lartë që vetë Kreu i Shtetit i bën familjes Blloshmi dhe gjithë të përndjekurve të saj nga regjimi diktatorial, të cilët, duke filluar nga babai, Samiu, u internuan në fshatin Gostimë duke u damkosur si familje reaksionare në një zonë më të largët nga vendlindja e tyre, Berzheshta”.

“Vlerësoj në mënyrë të veçantë qëndresën e Vilson Blloshmit, por dhe të të gjithë të dënuarve e të pushkatuarve të kohës së diktaturës, vetëmohimin dhe papajtueshmërinë e tyre me ideologjinë komuniste të një prej sistemeve më diktatoriale që shkaktoi krime monstruoze. Familja Blloshmi, një familje me tradita të hershme historike e atdhetare, që është dalluar edhe për intelektualizmin e saj, përjetoi hakmarrjen më të egër të diktaturës”, theksoi Topi.

“U takon vetë të përndjekurve të tregojnë historinë e patjetërsueshme duke vlerësuar e respektuar në radhë të parë vuajtjet dhe përndjekjet e tyre gjatë regjimit të kaluar në mënyrë që kujtesa dhe respekti të vendosen në projektimin e së ardhmes”, shtoi më tej. Ndërkohë, Bedri Blloshmi duke shpjeguar historikun e përndjekjes së familjes e të historisë tragjike të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës të ilustruar edhe me fotografi e dokumente historike të ekspozuara në njërën prej dhomave-muze të shtëpisë, vuri në dukje se Kryetari i Shtetit meriton mirënjohje dhe vlerësim “për nderimin dhe respektin e kujtimit dhe veprës së poetëve të pushkatuar, duke kontribuar në këtë mënyrë në vënien në vend të dinjitetit dhe vlerave të nëpërkëmbura nga sistemi diktatorial i Shqipërisë komuniste”. /Start/

                                                                                             2012-03-28 17:05
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›