E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet në Shkodër 65 vjetori i kryengritjes së Postribës

10-09-2011 / Gazeta 55

Komuna e Postribës në rrethin e Shkodrës, kremtoi sot 65 vjetorin e kryengritjes antikomuniste të organizuar në këtë zonë, e cilësuar nga historianët si “e para e këtij lloji në Europën Lindore”. Krahas banorëve të kësaj zone, familjarëve dhe trashëgimtarëve të pjesëmarrësve në këtë kryengritje, në tubimin e organizuar në qendër të komunës, morën pjesë edhe Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, drejtues të qeverisjes vendore, shoqata e ish të përndjekurve politikë, deputetë të qarkut Shkodër, etj.
Ceremonia kushtuar 65 vjetorit të kryengritjes së Postribës, filloi me vendosjen e kurorave me lule pranë memorialit kushtuar kësaj ngjarje, për të vijuar me mitingun përkujtimor të organizuar në mjediset e komunës.
“Ajo çfarë ka ndodhur në Postribë 65 vjet më parë, nga përmasat i ngjan  një legjende. Nga përmasat e guximit, trimërisë njerëzore, nga ajo çfarë donin të arrinin ato burra, ata janë pjese e një legjende”, u shpreh Bumçi, në fjalën e tij përshëndetëse.
“Nëse burrat e Postribës do të kishin fituar në vitin 46-të, sot do kishim jetuar një Shqipëri tjetër. Ky është edhe një mësim, historia nuk shkruhet, nuk ka asgjë të parathënë, gjithçka vendoset nga vullneti ynë”, vijoi përshëndetja e ministrit Bumçi. Bumçi iu drejtua të rinjve me një mesazh, ku thuhej se, “nëse përpara 65 vjetësh, gjyshërit tuaj guxuan të ngrihen kundër të gjithë botës, terrorit komunist, ju duhet të guxoni, të ëndërroni gjithçka, nuk ka asgjë që mund t’ju pengojë ëndrrat tuaja, frymëzoheni nga gjyshërit tuaj dhe do të arrini gjithçka në jetë”.
I pranishëm në këtë ceremoni, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni e cilësoi kryengritjen e Postribës, mjaft domethënëse për historinë e Shqipërisë, për historinë e Postribës, historinë e Shkodrës, për historinë e demokracisë dhe të antikomunizmit shqiptar.
Kryetari i bordit të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Kolec Topalli, duke përshëndetur të pranishmit në ceremoni, tha se, “Kryengritja e Postribës, ishte përgjigja që i dha populli qeverisë diktatoriale komuniste që kishte shkelur të gjitha të drejtat njerëzore dhe liritë demokratike duke vendosur një pushtet gjakatar që shtypte çdo mendim të lirë dhe eliminonte të gjithë kundërshtarët”.
Në emër të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, ai bëri apel për të mos e harruar Postribën, gjakun e derdhur të trimave të këtij vendi, lotët e nanave që mbeten pa bijë, të grave që mbeten të veja, të motrave që humbën vëllain, të fëmijëve që mbeten jetim.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›