E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i përbashkët i Europarlamentarëve: “Opozita të mos jetë figurante në parlament, të votojë reformat”

10-09-2011 / Gazeta 55

Krerët e dy grupeve më të mëdha parlamentare në PE, Jozef Daul dhe Hannes Swoboda kërkojnë kapërcimin e ngërçit politik, duke e gjetur tek dialogu konstruktiv, shansin e vërtetë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE

Dialogu konstruktiv mes pozitës e opozitës dhe bashkëpunimi mes dy kampeve politike në vend, mund t’i japë një shans të vërtetë Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.
Eurodeputeti socialist në Parlamentin Evropian Hannes Swoboda deklaron se opozita duhet të influencojë në vendimet e qeverisë për integrimin në BE dhe se nuk mjafton thjesht prezenca e saj në parlament.
Ndërkohë edhe kryetari i partisë më të madhe në Parlamentin Europian, Joseph Daul, shprehet entuziast për rikthimin e opozitës në Kuvend. Ai thekson se të dyja palët duhet të punojnë së bashku në funksion te integrimit.
Dy grupet kryesore politike të Parlamentit Europian, demokratët dhe socialistët, konsiderojnë, se nëse qeveria shqiptare dhe opozita zhvillojnë dialog konstruktiv dhe bashkëpunim të frytshëm midis tyre, kjo mund t’i japi shumë shpejt vendit një shans të vërtetë vendit për të fituar statusin e kandidatit.

Hannes Svoboda

Si e pritët lajmin që opozita socialiste është kthyer tashmë në Parlament?
“Qëndrimi ynë ka qenë, që socialistët duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në parlament dhe që qeveria shqiptare duhet të ofrojë mundësitë për një diskutim të sinqertë, pasi thjesht prezenca në parlament nuk mjafton. Opozita duhet të influencojë vendimet e qeverisë shqiptare për integrimin evropian”.

Opozita ka premtuar që do të votojë ligjet lidhur me integrimin europian. A është ky angazhimi që prisnit?
“Është pa dyshim angazhimi i duhur. Muajt e fundit kanë treguar, se ka një kohë për protesta, por ka gjithashtu një kohë për dialog konstruktiv dhe bisedime.
Shpresoj që të dy palët do të kenë një qasje konstruktive për të gjetur qëndrime të përbashkëta dhe marrëveshje lidhur me integrimin europian të vendit.
Ka shumë çështje të tjera për të cilat opozita mund të tregojë mospajtimin e saj, por për integrimin europian nevojitet që të dyja palët të punojnë së bashku”.

Por a nuk është pak vonë tani për ti dhënë vendit një shans për statusin e kandidatit, vetëm pak javë para shpalljes së opinionit të Komisionit?
“Besoj, se nuk është kurrë vonë. Nuk dua të fajësoj asnjërën palë. E rëndësishme është të fillojë puna. Komisioni do të shpallë opinionin e tij, por ky opinion mund të ndryshohet nëse ne shohim që në javët dhe muajt që vijnë ka një bashkëpunim të mirë midis të dyja palëve. Çështja mund të shkojë te Këshilli i ministrave, duke iu referuar gjithsesi disa elementeve të raportit të Komisionit Europian që janë ende kritike”.

Nëse më lejoni që t’i rikthehem kësaj çështje pasi është interesante ajo që thatë. Pra, gjërat mund të ndryshojnë ndoshta kur dosja të kalojë te Këshilli i ministrave nëse Komisioni dhe Parlamenti konstaton që ka vërtet një progres lidhur me dialogun konstruktiv midis palëve?
“Sigurisht që mund të ndryshojë, pasi Këshilli i ministrave ka informacionin e vet.
Duke qenë se ai merr vendimin i fundit, mund të marrë në konsideratë qëndrimin e Komisionit dhe Parlamentit, por përveç kësaj edhe zhvillimet më të fundit në Shqipëri gjatë javëve para se të merret vendimi në këtë instancë.
Ndaj shpresoj, që qeveria dhe opozita do t’i përmbahen mënyrës së re të bashkëpunimit dhe dialogut.

Joseph Daul

Edhe kryetari i partisë më të madhe në Parlamentin Europian, konsideron se ka një shans të vërtetë për progresin e Shqipërisë?
“Sapo e marr vesh dhe mund të them, se ky është një lajm shumë i mirë. Kjo është demokracia e vërtetë. Duhet një qeveri dhe duhet një opozitë. Zgjedhje zhvillohen rregullisht dhe mazhorancat mund të ndryshojnë, por duhet që të dyja palët të punojnë së bashku. Lajmi që po dëgjoj është vërtet i mirë”.

Në fakt, opozita është shprehur se do të votojë të gjithë legjislacionin që lidhet me 12 rekomandimet e Komisionit Europian për integrimin e Shqipërisë?
“Shumë mirë, madje edhe nëse ka elemente për të cilat ata votojnë kundër, përsëri është shumë mirë, se opozita këtë rol ka. Kjo është demokracia dhe deri tani kjo demokraci nuk funksiononte në parlamentin shqiptar. Nëse funksionon tani, jam po aq i lumtur sa ju”.

Në fakt, u deshën dy vjet për të ardhur këtu. Kohë e humbur?
“Të mësosh se si të punosh në demokraci nuk është e lehtë. Vendosja e demokracisë së vërtetë është shumë e vështirë dhe ne e shohim këtë në disa vende, pra jo vetëm në Shqipëri”.

Pra më mirë vonë se kurrë ...
“Sigurisht. Çdo gjë që shkon në favor të demokracisë , është e dobishme për qytetarët”.

A mund të ndikojë kjo në opinionin e Komisionit?
“Pa dyshim. Ka vende të tjera në Ballkan përveç Shqipërisë, ku demokracia nuk funksionon mirë. Kur ne shohim se ajo nuk funksionon siç duhet, ne jemi shumë skeptikë lidhur me përafrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Europian”.

Dëgjuam nga eurosocialistët, që ndoshta kë një shans që të favorizohet statusi i kandidatit kur dosja të kalojë në Këshillin e ministrave nëse ka dialog konstruktiv? Është e realizueshme?
“Këshilli i ministrave, Komisioni apo Parlamenti, ne kemi kërkuar të gjithë, që demokracia të funksionojë në parlamentin shqiptar. Tani që duket se gjërat po funksionojnë, ne mund të avancojmë”.

Në fakt pritet një përgjigje mbi statusin e kandidatit?
“Nëse statusi jepet para gjashtë muajve apo pas gjashtë muajve, ky nuk është fundi i botës për Shqipërinë”

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›