Toponimet dhe shtetësia e mohuar për kosovarët
Taulant Balla/ Deputet i PS-së
-Kontrata për dokumentet e identifikimit, që qeveria kërkon të ratifikojë në kuvend para 23 qershorit, pavarësisht se kontrata ekzistuese mbaron në muajin korrik, fsheh disa probleme, që për fat të keq, ajo me dashje apo pa dashje, i ka anashkaluar.Gjëja e parë që bie në sy, kur është fjala për një kontratë koncesionare siç është kjo për dokumentet e identitetit, është fakti se është harruar çfarë është parashikuar në kontratën fillestare.
Dhe në kontratën fillestare është parashikuar, se pas 5 viteve të këtij koncesionimi, që në pjesën më të madhe të vendeve është shërbim publik, ky shërbim i kalon shtetit. Por sot gjendemi në situatën që qeveria vjen me në propozim që nuk e shtyn për pesë vjet, por merr masat për dhjetë vjet. Dhe e shtyn kontratën nga viti 2013 deri në vitin 2023, kur kontrata fillestare e këtij koncesioni ka qenë vetëm pesë vjet. Problemi i dytë është se ka një dimension ekonomik çdo lloj koncesioni.
Është supozuar se kur është lidhur kjo kontratë, kompania që e ka fituar këtë koncesion, sigurisht e ka garantuar fitimin e vet, që do të thotë se pas ezaurimit të afatit të koncesionimit të këtij shërbimi, qeveria duhet të lidhë një kontratë të re për sigurimin e këtij shërbimi, i cili është në kurriz të shqiptarëve. Natyrisht sesa është fitimi i shtetit në këtë kontratë kjo nuk thuhet.
Nuk ka vend në botë që zgjat një koncesionim, i parashikuar fillimisht për 5 vjet, dhe për 10 vjet të tjera. Të paktën qeveria duhet të kishte respektuar kontratën fillestare, por me sa duket janë marrë masat meqenëse kjo mazhorancë do të humbasë në 23 qershor dhe me këtë rast po jep një kontratë që mbaron në 2023.
Nëse lexon kontratën e re, del në sipërfaqe edhe një mashtrim publik, patriotik i Sali Berishës për sa i përket pasaportave për vëllezërit tanë kosovarë. Me këtë kontratë, kryeministri del bosh me atë premtim të bërë për të dhënë pasaporta për vëllezërit kosovarë, sepse janë vënë kushte, të cilat nuk mundësojnë më pajisjen me pasaporta shqiptare të tyre.
Kjo pasi janë vënë limite për volumin e dokumenteve të identifikimit që do të lëshohen dhe ky volum do të jetë 3.4 milionë për kartat e identitetit dhe 3.4 milionë për pasaportat për periudhën 2013-2023. Ndërkohë që sot ne jemi pranë këtij limiti. Shkojmë te çmimet.
Thuhet se çmimet e kartave do të rriten jo më shumë se 25%, ndërkohë që në kontratë thuhet se karta do të shkojë 1500 lekë. Dhe kjo është fiks 25%. Pasaporta është 6 000 mijë lekë do të bëhet 7.5 mijë lekë. Ka një studim se për cilat arsye rritet çmimi i pasaportës dhe i kartës me këtë masë prej 25%? Dhe problemi kryesor që ngrihet është se qeveria nuk interesohet për qytetari shqiptar.
Çfarë duhet të ishte parashikuar në këtë kontratë në shtojcën e saj? Kjo lidhet me rastet e të gjithë atyre qytetarëve shqiptarë që sot kthehen në kufijtë e Greqisë për shkak të një gabimi të kryer nga kompania koncesionare. Fëmijët e emigrantëve që janë lindur në Greqi dhe toponimi i emrave në pasaportat e tyre është i papranuar nga pala greke është i krijuar nga pala shqiptare. Për një pasaportë që i jepet një qytetari që ka vendlindje në Selanik, autoritetet tona e shkruajnë Selanik, ndërsa konsullata jonë Thesaloniki.
Dhe problemin e ka shkaktuar pala shqiptare që për të njëjtin toponim ka lëshuar dy emërtime. Ajo që intereson është se në momentin që ratifikohet kjo kontratë t’u gjendemi pranë qytetarëve shqiptarë, duke shtuar në të si pikë shtesë se kompania merr përsipër që për të gjithë shqiptarët, pasaporta e të cilëve ka të shënuar toponime që nuk janë të përafruara me konventat ndërkombëtare, atëherë ajo merr përsipër ripaisjen me një pasaportë të re, të pranuar edhe nga pala tjetër. Kështu u gjendemi pranë familjeve shqiptare. Qeveria duhet njëherë të vetme të mendojë për qytetarët shqiptarë. Pjesë nga fjala në seancën e djeshme.