E Diel, 1 Nëntor 2026

Toponimet, fëmijët të lindur në Selanik, policia greke kthen 2 familje shqiptare

KORCE - Vijon problemi i toponimeve në pikën kufitare të Kapshticë. Dy familje shqiptare nuk janë lejuar të kalojnë kufirin, për shkak të shkrimit të toponimeve të vendlindjes së fëmijëve në pasaportat e tyre.

Mësohet se fëmijët kanë lindur në Selanik dhe për pasojë nuk mund të përfitojnë nga marrëveshja që palët arritën një ditë më parë, për të lejuar vetëm kalimin e fëmijëve të lindur në Athinë.

Sot janë kthyer dy familje, fëmijët e të cilëve janë lindur në qytetin e Selanikut. Në fakt autoritetet kufitare konfirmuan dje se kanë arritur një marrëveshje për të lejuar kalimin e fëmijëve shqiptarë të lindur në Athinë.

Autoritetet doganore shqiptare në pikën e kufirit të Kapshticës konfirmuan një ditë më parë për “News24” se një urdhër i ri, lejon përgjatë muajit gusht, vetëm kalimin e fëmijëve të emigrantëve shqiptarë, që kanë lindur në Athinë. Privohen nga e drejtat e kalimit ata fëmijë që kanë lindur në qytete të tjera të Greqisë, për shkak të shkrimit të toponimeve të vendlindjes në pasaportat e tyre.

Ndërkohë edhe nga pika e kalimit kufitar të Kakavijës mund të kalojnë pa hasur problemin e toponimeve, të gjithë emigrantët deri në fund të muajit gusht. Marrëveshja u arrit pas një takimi mes drejtorit të kufirit të Gjirokastrës Admir Abrija dhe homologut e tij grek.

I ashtuquajturi problemi i toponimeve të lindjes së fëmijëve shqiptarë në Greqi, ka mëse 2 vjet që ka krijuar probleme të mëdha për emigrantët shqiptarë dhe nuk po gjen zgjidhje.

Pak ditë më parë ambasadori ynë në Athinë Dashnor Dervishi zhvilloi një takim me ministrin e Jashtëm Grek Evangelos Venizelos për këtë çështje dhe mori prej tij premtimin se kjo çështje do të zgjidhet së shpejti dhe përfundimisht.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›