Tornatore e Lars von Trier: Flasin për vende dhe njerëz

Në ekranin e madh dy vepra të rëndësishme të kineamtografisë evropiane për vitin 2009. Një autobiografi nga Siçilia e Giuseppe Tornatores dhe një dramë në çift nga më tronditëset në historinë e filmit nga Lars von Trier
Atë që s'po e bëjnë dot me cilësi skenat e teatrit, operës dhe baletit, pra prodhimi vendas, po e bën kultura e importuar, e cila këtë muaj po sjell nga më e mira kulturë e huaj.
Ndërsa aktivitetet në kuadër të miqësisë së popujve sjellin në skenat e koncerteve muzikantë virtuozë si pianisti Michele Campanella pas dy netësh dhe violinisti Uto Ughi në ditët e para të prillit, në ekranet e dy kinemave të Tiranës, shfaqen dy vepra, nga prurjet më të mira të kinematografisë evropiane të vitit 2009. Giuseppe Tornatore dhe Lars von Trier, bashkëkohës me vepra klasike dhe novatore, që shkojnë nga tradita ose që i largohen asaj.
Kinema "Millenium" ka njoftuar tashmë se më 26 mars fillon shfaqja e filmit italian "Baarìa" ku regjisori Giuseppe Tornatore ndjek për gjysmë shekulli historinë e një familjeje siçiliane, nga vitet 1930 deri në 1980.
Është parë si një film autobiografik, si një homazh që Tornatore i bën familjes dhe Siçilisë së tij. Regjisori i "Kinema Parajsa" apo "Malena", e shtrin rrëfimin në tri breza, nga Çikoja tek i biri Pepino dhe i nipi Pietro. Ardhja e fashizmit, Italia e Luftës së Dytë Botërore, gjendja e pasluftës dhe mashtrimet politike, janë disa nga motivet që Tornatore trajton në frymën e asaj që ndodh në vende dhe komunitete të vogla e të pazhvilluara, vende ku të gjithë i njohin të gjithë.
Me shfaqjen e premierës në Festivalin e Filmit në Venecia verën që shkoi, regjisori 53-vjeçar komentonte: "Filmi nuk ka për qëllim të tregojë Siçilinë, Siçilinë dhe vetëm Siçilinë, por të flasë për jetën e një kori personazhesh brenda një mikrokozmosi, që është një fshat ku vazhdimisht ti mund të dëgjosh jehonën e gjithçkaje që ndodh rrotull teje, dhe jehonën e gjithçkaje që ndodh larg. Është fjala për një vend alegori për gjithë vendet ku kemi lindur.
Unë jam rritur në një familje që nuk na mësoi si të vishemi për shkollë apo si të mbajmë pirunin. Një nga gjërat e para që duhej të mësoje ishte si të silleshe me botën, si të respektoje të tjerët dhe mbi të gjitha, të ëndërroje. Ne mësuam sa e rëndësishme është përgjegjësia qytetare. Kjo është një nga gjërat, një nga shumë gjërat që vendi ynë ka humbur."
Filmi është xhiruar kryesisht në Tunizi, në një vend që u përshtat si të ishte Bagheria, vendlindja e Tornatores, emri italian i qytetit të njohur si Baaria në dialektin siçilian.
Në rolet kryesore interpretojnë Francesco Scianna, Margareth Made, Nicole Grimaudo, Lina Sastri etj.
Skenari është shkruar nga Tornatore, muzika nga Ennio Morricone. Zgjat 163 minuta. Prodhimi i "Baaria"-s ka kushtuar 35 milionë dollarë, një nga filmat më të shtrenjtë italianë të realizuar ndonjëherë.
Film u propozua për Çmimet Golden Globe dhe Oscar si Filmi më i Mirë i Huaj, por mbeti larg pretendimeve, të cilat Tornatore i ka përmbushur vetëm më 1998 kur për "Cinema Paradiso" fitoi Oscar.
Ka filluar ndërkaq prej së shtunës, të shfaqet në kinema "Imperial" filmi "Antichrist" i regjisorit danez Lars von Trier. Një bashkëprodhim i disa vendeve, Danimarkë, Gjermani, Francë, Suedi, Itali dhe Poloni.
Afishet paralajmërojnë se nuk lejohen spektatorë nën 16 vjeç, për shkak të elementëve të dendur horror, po edhe motivit të hapur seksual.
Një vit pas shfaqjes së premierës në Festivalin e Kanës, kjo vepër ka fituar jo pak vlerësime pozitive, dhe ka ardhur duke u zbutur në krahasim me qëndrimin e kritikës, i pamëshirshëm dhe gati mohues në fillim. Filmi u fërshëllye në Kanë. Si reagoi Lars von Trier-i? "Jua fërshëllej fërshëllimave." Kjo ishte mbrojtja që i bëri filmit më të vështirë të karrierës së tij mbi 20-vjeçare.
Ai është shprehur hapur se "Antikrishti" erdhi në një moment të jetës së tij kur kishte nevojë për t'u shprehur për një gjendje të rëndë depresive që e kishte mbajtur të mbërthyer në shtrat me sytë ngulur murit, dhe larg aktivitetit normal njerëzor dhe artistik.
Kritika ka parë tek "Antikrishti" një ide perverse dhe poshtëruese që von Trier ka për grua. Kurse sot, kur filmi ka bërë një trajektore, ka jo pak zëra kritikë që thonë se vetëm një njeri që ka një dashuri dhe kuriozitet të madh ndaj femrës dhe femërores, mund të bëjë atë që në fakt, von Trier e ka bërë qysh në filmat e tij të parë "Medea", "Breaking the waves" e më pas tek "Dancer in the dark", "Dogville", "Maryland", "Idiots" e së fundi tek "Antichrist".
Konsekuenca të tilla shpesh janë hedhur mënjanë, duke e marrë veprën e një artisti të shkëputur nga idetë e tij bazë që trajtohen në variacione në vepra të ndryshme.
Pavarësisht polemikave, të dy krahët kanë pranuar se një nga gjërat më të bukura dhe më të pastra estetike të kësaj vepre, e cila i kushtohet Andrei Tarkovsky-t,
është imazhi.
Interpretojnë aktorët Ëillem Dafoe dhe Charlotte Gainsbourg. Zgjat 105 min.
Me këta filma dhe disa të tjerë paraardhës, kinematë po e thyejnë disi repertorin e tyre klishe, të përcaktuar sa nga shijet e një publiku masiv, aq edhe nga mundësitë e kufizuara që kanë këto kinema për shfaqjen e filmit autor dhe atë jo komercial.