Banesat sociale, ja dokumentet që duhen

Janë 5000 mijë qytetarët e Tiranës që kanë aplikuar deri tani për 350 banesa sociale
Përparësi në procesin e përzgjedhjes do të kenë aplikuesit që nuk kanë në pronësi një banesë
Të pastrehët në Tiranë deri në mesin e muajit mars llogariten të jenë rreth pesë mijë, por kjo nuk është një shifër përfundimtare. Këto janë shifra që Bashkia e Tiranës ka mbledhur që nga fillimi i projektit të banesave sociale, në dhjetor të vitit 2005 dhe deri në mars të 2010-ës.
Ky numër nuk është përfundimtar, pasi dyert e bashkisë janë të hapura për cilindo që dëshiron të aplikojë për një kërkuar banesë sociale me qira, për tokë të pajisur me infrastrukturë ose për banesë me kosto të ulët.
Programi i banesave me qira të bashkisë ka parashikuar ndërtimin e 350 banesave në zonën e Shkozës në periferi të kryeqytetit.
Por, në krahasim me numrin e aplikuesve, kjo shifër duket tejet e vogël. Megjithatë, ekziston një proces përzgjedhjeje. Në bashki mund të aplikojë cilido qytetar i Tiranës që plotëson kushtet për të përfituar nga këto programe strehimi, por gjatë procesit të përzgjedhjes do të kenë përparësi ato familje, të cilat nuk kanë në pronësi një banesë, ato që zotërojnë një sipërfaqe banimi nën normat e strehimit, si dhe ato familje, të cilat kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore.
Vç tyre, mundësi përfitimi kanë dhe ato familje, të cilat vërtetojnë se nuk kanë përfituar nga Ligji nr. 7652 datë 23.12.1992 "Për privatizimin e banesave shtetërore", familjet me një prind, të moshuarit që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t'u strehuar në institucionet publike të përkujdesit shoqëror, individët me aftësi të kufizuar, të cilët gëzojnë statusin e të verbrit të grupit të parë, të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të invalidit të punës dhe të invalidit të Luftës Nacionalçlirimtare, çiftet e reja me moshë totale deri në 55 vjç.
Dokumentet
Aplikuesit duhet të paraqesin pranë sporteleve të bashkisë këto dokumente: certifikatë e përbërjes familjare të vitit 1992; certifikatë aktuale të përbërjes familjare; certifikatë lindjeje personale të aplikuesit; vërtetim banimi nga Njësia Bashkiake ku kërkon strehim, ose lejen e banimit për fëmijët që kanë lëvizur nga zonat e tjera të vendit; vërtetim të ardhurave neto të familjes; vërtetim page për aplikantin, si dhe për të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes, të cilët janë në marrëdhënie pune; dokumentacion nga Organet Tatimore dhe Sigurimeve Shoqërore për derdhjen e kontributeve, kur njeri nga anëtarët është i vetëpunësuar; vërtetim nga Zyra e Ndihmës Ekonomike nga Njësia Bashkiake, nëse përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike; vërtetim nga Zyra e Punës, për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë; vërtetim nga Sigurimet Shoqërore, për personat e dalë në pension; vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për sipërfaqen e pronës, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e lejuara të strehimit; vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të vendit të origjinës, se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila nuk mund të përdoret për strehim për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi; dokument zyrtar të celebrimit dhe certifikatën personale, për efekt të llogaritjes së moshës për çiftet e reja; vendimin e gjykatës për fëmijët në ngarkim për çiftet e divorcuara; vërtetim të statusit të jetimit, në ato raste kur e gëzojnë këtë status; vendim nga Komisioni Mjekësor për personat me aftësi të kufizuara; vërtetim nga Kadastra e Rrethit nëse ka përfituar ose jo nga ligji nr. 7501, "Për tokën", për të gjithë pjesëtarët madhorë të familjes; vërtetim nga Zyra e Tatim Taksave nëse është ose jo, subjekt i taksës së vlerës së shtuar, për të gjithë anëtarët e familjes; vërtetim nga Zyra e Urbanistikës pranë Bashkisë së Tiranës, llogarisë dhe hipotekës nëse ka blerë, ose jo truall nga shteti për ndërtim banese, për të gjithë anëtarët e familjes; deklaratë personale e noterizuar ku përfshihen të gjitha pikat e mësipërme, si dhe kontratën e qerasë të banesës ku aplikuesi jeton (nëse ka një të tillë).
Në fund është Këshilli Bashkiak i Tiranës i vetmi organ vendimmarrës, i cili do të shqyrtojë dhe miratojë listën e përfituesve.
Kanë aplikuar për banesa sociale:
- 4358 familje që nuk kanë përfituar nga ligji për privatizimet (Ligji Nr.7652);
- 578 familje që kanë përfituar nga ligji për privatizimet (Ligji Nr. 7652);
- 3660 familje që banojnë deri në momentin e aplikimit në banesa me qira;
- 724 familje që banojnë në banesa rrezik shembje;
- 1709 familje që jetojnë në kushte të vështira higjeno-sanitare;
- 104 aplikues që janë të verbër;
- 267 aplikues që janë invalidë paraplegjik - tetraplegjik;
- 378 aplikues që janë invalidë të punës;
- 36 aplikues që janë invalidë lufte;
- 185 aplikues që janë jetim;
- 106 familje që disponojnë objekt tjetër në pronësi;
- 301 familje që banojnë tek të afërm ose të njohur;
- 26 familje që kanë zënë objekt privat;
- 204 familje që kanë zënë objekt publik;
- 102 aplikues që janë të përfshirë në programin e papunësisë;
- 494 aplikues që janë përfshirë në programin e ndihmës ekonomike;
- 219 aplikantë që janë të vetëpunësuar
- 801 aplikantë që janë të punësuar në shtet
- 827 aplikantë që janë të punësuar në privat
- 605 aplikantë që janë të punësuar të rastit