E Diel, 1 Nëntor 2026

Ballsh, nis hapja e varrit të viktimave të komunizmit

Skeleti i parë gjendet bashkë me dokumentet e identifikimit

Fillon hapja e varreve të viktimave të komunizmit në fshatin Panahor, shumë pranë Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh. Skeleti i parë ka dalë në dritë dje, ndërsa mendohet se në këtë vend ndodhen eshtrat e të paktën 60 personave që janë ekzekutuar apo kanë gjetur vdekjen gjatë vuajtjes së dënimit në Burgun 309 të Ballshit.

Viktima e parë

Disa shishe ku janë futur të dhënat personale, të varrosura bashkë me eshtrat, pritet të zbardhin identitetet e tyre. Paraditen e djeshme, teksa punëtorët gërmonin, është gjetur skeleti i një personi. Mbetjet e rrobave që i dënuari kishte veshur e kanë bërë më të shkrifët dhe me ngjyrë më të theksuar dheun. Pikërisht kjo provë ka siguruar ekspertët për të vijuar gërmimet. Ende pa u zbuluar i gjithë trupi është gjetur shishja e bardhë me të dhënat. Parcela ku ishte varrosur kjo viktimë mbante numrin 54 në dosjen dhe hartën përkatëse. Sipas të dhënave të fshehura brenda shishes, skeleti i përket Mustafa Korockës nga Kuçi i Vlorës. Vitlindja e Korockës është 1919, ndërkohë që data e vdekjes së tij është 21 shkurti i vitit 1977. Ky person mendohet se ka qenë i burgosur në Ballsh pas një tentative për arratisje, por këto të dhëna nuk janë ende zyrtare.

Autoritetet

Admir Sinamati, zëvendësdrejtori i Institutit të Kriminalistikës, tha për gazetën “Shqip” se harta e kësaj varreze është zbardhur nga deputeti Enkelejd Alibeaj. Ky i fundit e ka siguruar hartën në arkivin e Ministrisë së Brendshme.

Sinamati tregoi se në Burgun 309 kanë vuajtur dënimin 120 të burgosur politikë. “Mbi 60 viktima mendohet se janë ende pa u gjetur ndaj dhe kanë nisur gërmimet. Në bazë të hartës, e cila na ndihmon, do të mundësojmë zbardhjen e gjithë varrezës”, tha Sinamati. Gjithashtu ai ka pohuar faktin se të dënuarit dyshohet se nuk kanë vdekur në mënyrë natyrale, por do të jenë ekspertizat “antemortum” dhe “postmortum” ato që do të vërtetojnë shkaqet e vdekjes. Ekspertët dyshojnë se shkaku më i mundshëm është një helmim gradual i të burgosurve.

Ish të përndjekurit

I pranishëm në aksionin e zhvarrimit ishte kreu i Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, i cili tha se “në Ministrinë e Brendshme nuk ka asnjë lloj skice. Për këtë është gjetur një skicë e vogël e varreve të njerëzve që kanë vdekur në Burgun e Ballshit. Ne kemi rreth 4000 të ekzekutuar me gjyq e pa gjyq që nuk u gjenden eshtrat. Task Forca e Kryeministrisë do të gjejë të zhdukurit. Ekzekutimet kanë nisur që në vitin 1943 pas Konferencës së Mukjes, pastaj kanë vijuar më 1945-n me gjyq e pa gjyq deri më 1991. Në arkivin e Ministrisë së Brendshme nuk ka të dhëna të sakta dhe informacionet janë mbledhur vetëm nëpërmjet gojëdhënave”, tha kreu i të përndjekurve, Simon Miraka.

Ky i fundit nuk e ka mohuar faktin se te varrezat e Panahorit mund të ketë edhe eshtra të dënuarish për krime ordinere.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›