Ramiz Alia mund të flasë, vetëm nëse flet ndrysheNga Fitim ZekthiE keqja është banale, kjo është dëshmuar paprerë në historinë njerëzore. Dy ditë më parë ish-udhëheqësi i fundit komunist në Shqipëri foli, për ta risjellë në vëmendje këtë, për komuniz
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Ramiz Alia mund të flasë, vetëm nëse flet ndrysheNga Fitim ZekthiE keqja është banale, kjo është dëshmuar paprerë në historinë njerëzore. Dy ditë më parë ish-udhëheqësi i fundit komunist në Shqipëri foli, për ta risjellë në vëmendje këtë, për komunizmin dhe rënien e Murit të Berlinit. Fjalori i tij ishte aq i keq, siç ka qenë gjithmonë.
Politikanët e rëndësishëm, kur largohen nga pushteti, thuajse nuk shihen fare duke dhënë mesazhe, bërë histori apo paraqitur pikëpamje. Por kjo vlen për politikanë të vendeve demokratike, askush nuk ka parë në televizionet franceze Shirakun të dalë në televizione prej një viti e gjysmë, në televizionet italiane Prodin, në ato angleze Xhon Mejxhërin, apo Helmut Kohlin, apo Shrederin në Gjermani etj. Ramiz Alia në ekranet dhe shtypin shqiptar shfaqet çdo tre muaj, pasi mes këtyre tre muajve gjen radhën të shfaqet Nexhmije Hoxha. Televizioni CNN këto ditë po paraqet një dokumentar të jashtëzakonshëm mbi rënien e Murit të Berlinit dhe aty ka pamje, data, dëshmi, personazhe, por vetëm drejtues komunistë jo. Njerëzit për natyrë përpiqen të mbulojnë pikat e dobëta dhe të shfaqin ato të mirat, por ajo që bëri Ramiz Alia ishte një jerm i vërtetë. Komunizmi kishte qenë i përvëluar për të mirën e njerëzve, i përcëlluar për Kosovën dhe kishte punuar, derisa i regëtiu frymë e fundit për popullin. Sot kishte nostalgji për Enver Hoxhën dhe Ramiz Alia i lejoi vetes të shfaqë banalitetin që ka e keqja, të artikulojë teza me fjalë të marra nga rruga, duke ia humbur kuptimin edhe anekdotës. “Shqiptarët, - tha ai, - sot thonë: “Çohu Enver dhe vër rendin!” …. Intervistës së Ramiz Alisë i mungoi vetëm të shprehte qëndrimin e tij për bojkotin e opozitës ose për Progres-Raportin e BE, për tjetër gjë ai nuk la hapësirë. Vlen një shembull i vogël dhe domethënës: ish-guvernatori i Nju-Jorkut, Eliot Spitzer, një politikan që llogaritej ndër kandidatët e mundshëm për president të demokratëve, dha dorëheqjen rreth dy vjet më parë, pasi u pa të vizitonte një lokal me prostituta. Rreth 3 muaj më parë ai guxoi të shkruajë një opinion në “Washington Post” për krizën financiare. Nuk mbeti gazetë e rëndësishme pa e shakmisur këtë njeri, me arsyen që ky nuk ka asnjë të drejtë t’i flasë publikut për zhvillimet e tashme. Ramiz Alia, jo vetëm që ka vizituar, por edhe ka drejtuar disa nga zyrat e errëta ku janë marrë vendime për hapje kampesh përqendrimi, për burgosje dhe pushkatime pa gjyq etj., vazhdon t’u flasë shqiptarëve. Ai do të ishte një pasuri për këtë vend, nëse do të pranonte të dëshmonte për vrasjet gjatë luftës, për vrasjet e kundërshtarëve që zgjatën 40 vjet, për vdekjen e njerëzve, por edhe të fëmijëve në kampe si ai i Tepelenës, për shembull, ku kanë vdekur nga uria edhe fëmijë e gra. Ai arriti të pushtojë edhe faqet e gazetave të nesërmen duke e zgjeruar njollën e të zezës. Ai mbrojti me arrogancë si të drejtë gjithçka ka ndodhur në komunizëm duke u kujdesur që e zeza pas rrathëve të syzeve të dukej më shumë. Ai tha se ka pasur vetëm pak teprime, siç qe marrja e bagëtive apo dënimet e ashpra të festivalit të 11 dhe më pas. Shkatërrimi i kishave dhe xhamive, burgosja dhe vrasja e priftërinjve dhe hoxhallarëve nuk u përmendën. Mënjanë u hodhën edhe vrasjet në kufi, pushkatimet e poetëve, të 14 deputetëve, të bombës në ambasadën sovjetike dhe në tërësi në terr u la ndërtimi i një Shqipërie të tmerrshme. Një prej historianëve më të njohur sot në botë, Stephan Courtois, (francez) në hyrjen e “Libri i Zi i Komunizmit” thotë se komunizmi ishte një destruksion, regjim gjenocidal që ashtu si nazizmi ka bërë krime të përbindshme, por me ndryshimin se komunizmi i ka bërë këto krime mbi bazë klasore dhe nazizmi mbi bazë racore. Për Ramiz Alinë kemi një Shqipëri tjetër që u rrit, që ndërtoi shkolla e rrugë, brezare e miniera, njeri të ri etj. Këto të gjitha janë thjesht alibia për të zbukuruar një krim, por nuk e bëjnë atë më të mirë. Ramiz Alia do të jetë sërish në televizione dhe në gazeta dhe sërish do të thotë po këto gjëra, vetëm se në rastin tjetër dashuria e madhe për Kosovën, ta zëmë, nuk do të tregohet më me pesë shkrime të Enver Hoxhës në “Zëri i Popullit”, siç tha dy ditë më parë ai, por ndoshta edhe me një shkrim te gazeta “Bashkimi”. Të njëjtat impulse që shtynë komunistët shqiptarë, që drejtonin Partinë Komuniste, të vrisnin pa ndalur brenda partisë, të shkretonin shpirtërisht një popull, të grabisnin prona e të ngririn kampe e burgje, të pushkatonin dhe terrorizonin një popull për dekada, shtyjnë sot Ramiz Alinë dhe ish-funksionarë të lartë t’i mbrojnë këto krime. Mendjelehtësisht, me daljet e tij Ramiz Alia shpreson të retushojë historinë, por gabohet. Përpëlitjet e tij televizive, nëse zënë vend gjëkundi, thjesht po rekrutojnë anëtarë të rinj për anën e keqe të historisë së periudhës pas rënies së komunizmit.