E Diel, 1 Nëntor 2026

José Manuel Soprano Nga “Wall Street Journal”Pasi frikësoi Irlandën që të rishikonte verdiktin e saj për Traktatin e Lisbonës në fillim të muajit, Brukseli tani po sillet si Sopranot (familje mafioze në një dramë televizive amerikane) ndaj presidenti

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

José Manuel Soprano Nga “Wall Street Journal”

Pasi frikësoi Irlandën që të rishikonte verdiktin e saj për Traktatin e Lisbonës në fillim të muajit, Brukseli tani po sillet si Sopranot (familje mafioze në një dramë televizive amerikane) ndaj presidentit çek, vendi i fundit që nuk e ka miratuar Traktatin.

“Nuk është në interesin e askujt, aq më pak të Republikës Çeke, t’i vonojë gjërat më tej”, - e paralajmëroi presidenti i Komisionit Evropian, José Manuel Barroso, presidentin çek, Vaclav Klaus, i cili nuk pranon ta dekretojë Traktatin që tashmë është i miratuar nga të dyja Dhomat e parlamentit çek. “Nëse nuk do të firmoset Traktati i Lisbonës, - shtoi ai, - nuk ka garanci që Republika Çeke do të ketë komisionar.” Kësi lloj kërcënimesh, megjithatë, duket se vetëm e shtojnë kundërshtimin nga Praga.

“Kam frikë nga një integrim më i thellë i Bashkimit Evropian. Për mua kjo është diçka me rëndësi jetike”, - u kundërpërgjigj të mërkurën zoti Klaus. “Mendimi që unë të harroj çfarë kam thënë, nuk ka bazë bindëse.”

Zoti Klaus pranoi kështu se kërkesat e minutës së fundit për rishikim të Kapitullit të të Drejtave Themelore të Traktatit nuk kanë të bëjnë me shqetësimet e shprehura të tij se ky kapitull do të mundësojë që gjermanët e zhvendosur nga vendi tij gjatë Luftës së Dytë Botërore të ri-kërkojnë pronat e humbura. Më tepër, lëvizja e tij - e cila bëhet pas spekulimeve se Gjykata Kushtetuese çeke do ta rrëzojë apelimin kundër Traktatit - është pjesë e një taktike vonuese. Rishikimi formal i kapitullit do të kërkonte që të 27 vendet anëtare ta ri-ratifikonin Traktatin, një sipërmarrje që kërkon kohë dhe zoti Barroso e hodhi poshtë si “absurd dhe surreal”.

Qëllimit të zotit Klaus duket se po i mbaron koha, derisa të kthehen në pushtet konservatorët britanikë. Konservatorët - që parashikohet të fitojnë zgjedhjet e majit 2010 - kanë premtuar të mbajnë referendum për Traktatin, nëse deri atëherë nuk ka hyrë në fuqi. Nëse u jepet mundësia, gjasat janë që votuesit britanikë ta refuzojnë dokumentin.

Zoti Barroso e kujtoi zotin Klaus se “besimi dhe bashkëpunimi luajal janë parime të ligjit evropian dhe ndërkombëtar.” Por në një demokraci, opozita luajale mund të jetë më e rëndësishme se “bashkëpunimi luajal”. Komisioni dhe Brukseli janë në pikën e tyre më të ulët, kur i konsiderojnë të gjitha mospërputhjet si mungesë besimi te BE. Zoti Barroso nuk i bën ndonjë nder, as vetes, as institucionit që ai përfaqëson duke iu imponuar me forcë një vendi tjetër të vogël.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›