Torreblanca: Spanja gabohet me kundërshtimin e fortë ndaj pavarësisë së Kosovës
Mendoj se ky është një gabim serioz, sepse një ditë kjo pjesë e botës do të jetojnë në kushte më të mira, duke iu ofruar Bashkimit Evropian. Ne ndërkohë ne jemi pengesë, ne jemi pjesë e problemit e jo pjesë e zgjidhjes. Mendoj se ky është një fakt shumë i keq për një vend siç është Spanja, e cila në përgjithësi ka një pozicion ndërkombëtar shumë pro-aktiv dhe e cila ka mbështetur proceset paqësore dhe pajtimin në shumë vende të ndryshme. Prandaj ky është një shembull shumë i keq dhe një përjashtim i keq për një vend, i cili nuk e rrezikon askënd dhe nuk ka problem me askënd në botë, u shpreh ai duke shtuar se ndoshta Spanja ka supozime të gabuara se çështja e statusit mund të zhduket dhe të injorohet, derisa njerëz të tjerë thonë se kjo është jetike dhe asgjë nuk mund të bëhet pa e zgjidhur statusin. Ai u shpreh se nuk pret të ndodhë ndonjë gjë brenda një periudhe afatshkurtër, edhe në qoftë se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të jetë dykuptimësh. Kjo do të krijojë pak hapësirë për relaksim dhe ajo që pres unë është që Spanja të mbajë qëndrim neutral dhe të mos e mbrojë fuqishëm qëndrimin e Serbisë në skenën ndërkombëtare. Mendoj se kjo do të kishte efekt negativ dhe do të dërgonte një mesazh të keq, u shpreh ai. Para Kosovës, delegacioni spanjoll ka qëndruar në Serbi ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të BE atje dhe të shoqërisë civile. Kjo vizitë është cilësuar e rëndësishme për shkak të qëndrimit të Spanjës në raport me pavarësinë e Kosovës dhe për faktin se ajo është kryesuese e radhës së Bashkimit Evropian. Sipas tij në aspektin praktik, janë një numër arsyesh të kombinuara që Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ku veçon këtu të drejtën ndërkombëtare. Qëndrimi i qeverisë spanjolle është se rezoluta 1244 nuk është në pajtueshmëri me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, se palët duhet të arrijnë një marrëveshje që do të mbështetej nga Këshilli i Sigurimit dhe kjo nuk ka ndodhur. Pra ka disa argumente sa i përket të drejtës ndërkombëtare dhe të shohim se sa larg do të shkojnë ato pas mendimit që do të japë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Pastaj kemi gjithashtu çështjet e brendshme, sepse pavarësia e Kosovës u shpall në një moment shumë delikat, një muaj para zgjedhjeve nacionale në Spanjë, në momentin kur po diskutohej çështja e territorit dhe kishte negociata me terroristët baskë të cilat kishin dështuar, njerëzit kishin frikë se çështja baske po u dilte nga kontrolli, u shpreh ai duke shtuar se tani situata është krejt ndryshe. Ai theksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Spanja mund të marrë shumë kohë, duke shtuar se spanjollët mund të provojnë të minimizojnë peshën e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kryesuesi i zyrës së KE në Madrid, theksoi gjithashtu se gjërat do të ishin më të lehta për Kosovën, nëse të gjitha 27 vendet anëtare do ta njihnin atë. Ne do të mund të fillonim të mendonim për bashkëpunim rajonal, për përmbushjen e standardeve dhe procesin e anëtarësimit. Edhe pse argumentet në Madrid janë se është mirë që serbët dhe të tjerët ta shohin se Evropa është plurale dhe ka qëndrime të ndryshme, në fund të fundit kjo është e keqe për të gjithë, u shpreh ai.