E Diel, 1 Nëntor 2026

Totozani: Të merren masa për strehimin e romëve, institucionet të veprojnë

TIRANE - Ndaj 37 familjeve rome që banojnë në ambientet e ish-Dekorit në Rrugën e Kavajës janë shtuar rastet e presioneve për t’i larguar nga strehimet e tyre. Mbrëmjen e djeshme, disa familje janë dëbuar nga barakat e tyre dhe tashmë kanë mbetur në qiell të hapur. Institucioni i Avokatit të Popullit vijon të qëndrojë në krah të romëve, duke bërë apel për gjetjen e një zgjidhjeje për strehimin e tyre

Në një deklaratë për mediat, Avokati i Popullit Igli Totozani i bëri sërish thirrje Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Punës që të marrin masa urgjente për sistemimin e familjeve rome.

“I kërkojmë Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta që nëpërmjet shërbimeve të tyre sociale dhe programeve respektive për strehim dhe ndihmë të paraqiten urgjentisht pranë familjeve të dëbuara për të njohur dhe administruar nevojat emergjente të pjesëtarëve të tyre. Të marrin urgjentisht masa të shpejta për të siguruar ndihmën e nevojshme emergjente dhe komplekse për këto familje si dhe të marrin masat e duhura për të siguruar pa vonesë strehim të pranueshëm në respekt të standardeve ndërkombëtare, të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor” – u shpreh Totozani.

Avokati i Popullit i ka kujtuar qeverisë shqiptare që të përmbushë kriterin e 11 për marrjen e statusit kandidat, i cili ka të bëjë pikërisht me detyrimin e saj për të ndërmarrë hapa konkretë në forcimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sidomos të grave, fëmijëve dhe romëve, si dhe në zbatimin e efektshëm të politikave anti-diskriminim.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Avokatit të Popullit dhe ndërkombëtarëve për të gjetur një zgjidhje për çështjen e romëve, mbrëmjen e djeshme, firma ndërtuese largoi me forcë nga strehimet e tyre disa familje rome.

Pak ditë më parë, drejtori i përgjithshëm i policisë, Hysni Burgaj ka dhënë një urdhër për pezullimin e vendimit për largimin e 37 familjeve rome nga kjo zonë.Në urdhrin e Burgajt shkruhet se: “Nuk do të lejojmë asnjë dëbim të familjeve rome. Firma ndërtuese nuk do lejohet të ndërmarrë asnjë veprim pa u sqaruar situata, pa pasur titull ekzekutiv të Përmbarimit dhe leje mjedisore nga Bashkia”. 

Dëbimi i familjeve rome nga banesat e tyre të improvizuara në Tiranë ka nxitur sërish “Amnesty International” të mbajë ndezur çështjen e tyre dhe të tërheqë vëmendjen e pushtetarëve. “Amnesty” thekson sërish se as bashkia dhe as qeveria nuk po bëjnë asgjë në lidhje me strehimin e këtyre familjeve. 

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Shiu rëndoi situatën, 2 fëmijë romë dërgohen në spital VIDEO: Totozani: Të merren masa për strehimin e romëve, asnjë institucion nuk po vepron

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›