Totozani për deklaratat e Strazimirit: Më pëlqen humori
Romët përplasin edhe njëherë Avokatin e Popullit me zyrtarët e lartë shtetërorë, por kësaj here, Totozani me sa duket ka zgjedhur ironinë. I pyetur nga gazetarët sot pasdite lidhur me deklaratat e Nëndrejtorit të Shërbimit Social Shtetëror, Leonard Strazimiri, Avokati i Popullit, Igli Totozani tha se i vlerësoj shumë disa funksionarë, po rastisi që të kenë edhe humor aq më mirë akoma.
Nëndrejtori i Shërbimit Social Strazimiri reagoi në shtypin e sotëm pas deklaratës që Avokati i Popullit bëri dy ditë më parë me anëtarë të komunitetit rom. Totozani u shpreh se romët janë jashtë sistemit dhe nuk përfitojnë, as nga të mirat sado modeste të sistemit social.
Strazimiri reagoi duke i bërë apel Totozanit të hapë sytë, sepse romët trajtohen me asistencë shkruan GSH e djeshme. Avokati i Popullit të lexojë ligjin për ndihmën ekonomike, të qartësohet dhe pastaj të prononcohet, thotë Strazimiri, sipas të cilit ky komunitet është i përfshirë në sistem dhe përfiton prej tij. Nëse plotësojnë kriteret e nevojshme, ata sigurisht përfitojnë shumën e caktuar, shprehet zyrtari.
Totozani është pyetur sot pasdite nga gazetarët lidhur me këtë deklaratë dhe është përgjigjur. Më besoni, unë i vlerësoj shumë funksionarët shtetërorë për punën e tyre të palodhur në ndihmë të qytetarit, për ndershmërinë dhe dinjitetin profesional që i karakterizon, për preokupimin që kanë për grupet në nevojë, sidomos për romët, për të folurin drejt dhe shkoqur dhe për cilësi të tjera që i shfaqin përditë. Po rastisi që të kenë edhe humor, aq më mirë akoma…/Shekulli
