Imami, skandal dhe me gradimet
Emërimet dhe gradimet e ushtarakëve në të gjitha nivelet në Forcat e Armatosura kryhen jo mbi baza ligjore, por sipas preferencave të ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami dhe Shtabit të Përgjithshëm.
Vizion Plus ka publikuar një listë emërore të nënkolonelëve të përzgjedhur për avancim në gradë prej 36 emrash. Por emrat që përzgjidhen për të marrë gradë më të lartë nuk janë 7 emrat që siguruan më shumë pikë sipas vlerësimit të Komisionit.
Nëpërmjet urdhrit që mban numër 11-36, datë 8 korrik 2011, ndryshohet urdhri i mëparshëm i ministrit të Mbrojtjes dhe miratohet rregullore e re për komisionet e karrierës. Kështu, sipas urdhrin të ri të Imamit, është shefi i Shtabit që vlerëson me 20 % të pikëve konkurrentët, duke rrëzuar vlerësimin e Komisionit të gradave.
Por kjo është njëra anë e medaljes me emërimet partiake e preferenciale në ushtri. Pasi Ministri Imami nëse në vitin 2010 pranoi të gradonte 3 kolonelë vetëm pasi ata fituan betejën me Ministrinë në Gjykatë, në 2012 nuk merr parasysh as vendimet e drejtësisë.
Ky është vendimi i Gjykatës së Apelit të Tiranës, me kryesuese gjyqtaren Edlira Petri, i cili detyron ministrin e Mbrojtjes Arben Imami, të nxjerrë një akt administrativ që i jep gradën madhore Gjeneral Brigade Perikli Koliçit. Vendimi i formës së prerë mban datën 29 mars 2012, por në letrën përcjellëse të ministrit Imami është shënuar shkurt mbi vendim Nuk bëhet! duke shpërfillur hapur dhe qartazi sistemin gjyqësor në vend.
Vizion Plus ka publikuar ditët e fundit një sërë skandalesh në këtë ministri, që nisin nga blerja e aparateve përgjuese që dyshohet se u përdoren për përgjimin e opozitës, deri tek përdorimi i Forcave të Armatosura në shërbim të aktiviteteve të Partisë Demokratike.
