Kufizimi i imunitetit PS kushtezon dhe referendumin

Partia Socialiste, e konsideron fitore mos votimin në Kuvend të draftit për heqjen e imunitetit. Një ditë më pas në deklaratat e tij sekretari për çështjet ligjore, Fatmir Xhafa, duke mos fshehur kënaqësinë, u përpoq të justifikojë para medias veprimin e PS në seancën parlamentare. Duke insistuar në nisjen e diskutimeve për reformën në drejtësi, Xhafa u shpreh se Kryeministri Berisha nuk është qartësisht i njohur me propozimet e opozitës.
Por po ti referohesh draftit të paraqitur sheh se në propozimin e socialistëve kërkohet sëpari që Kuvendi të organizohet dhe të funksionojë sipas rregullores së miratuar me 3/5-at e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në propozimin e dytë thuhet se Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e 3/5 të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në propozimin e katërt kërkohet që Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e 3/5 të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në propozimin e pestë thuhet se Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë, 3 anëtarë të zgjedhur nga 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, si dhe 9 gjyqëtarë të të gjitha niveleve, të cilët zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Dhe propozimi i fundit ka të bëjë me Prokurorin e Përgjithshëm i cili sipas propozimit të socialistëve emërohet nga Presidenti i Republikës por me pëlqimin e 3/5 të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Xhafa pranoi se socialistët janë dakord edhe për nismën e Kryeministrit për zhvillimin e referendumit popullor për heqjen e imunitetit, por si zakonisht edhe këtë miratim ai e kushtëzoi me përfshirjen në të edhe propozimet e tyre për ndryshimet kushtetuese.