E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toxin

Toxin. Shtatë vjet në në skenën e rokut kosovar. Zhanri i rokut që ata e bëjnë është një hap me rokun botëror. Në vitin 2008 e kanë realizuar albumin e tyre të parë, përderisa sapo kanë realizuar klipin e ri të këngës “Inside” në gjuhën angleze. Nga Ardian Jasiqi më 25 gusht 2011 në ora 12:23

Prej shtatë vitesh kanë nxehur disa herë telat e kitarave të tyre. Gjithmonë duke i qëndruar besnik zhanrit të tyre të rokut, kurse tani dëshirojnë të hynë edhe më fuqishëm në këtë drejtim me këngë në gjuhën angleze.

Ky është grupi “Toxin”, që karrierën e tyre të rokut e nisën qysh në vitin 2004. Edhe pse grupi ka pasur ndryshime, anëtarët e këtij grupi, që për ta nuk është më rëndësi përmendja e emrave të tyre sesa emri i grupit, thonë se pavarësisht ndryshimeve, janë ende aktivë.

“Numrin e këngëve është problem me u dit, pasi që kemi kompozuar një numër të madh këngësh, shumicën e të cilave nuk janë regjistruar kurrë apo janë anuluar. Mirëpo, nëse llogariten vetëm këngët e incizuara, atëherë e kemi një album edhe përafërsisht pesë këngë tjera të përfunduara me incizim për albumin e dytë”, thonë ata.

Toxin tashmë kanë realizuar edhe një këngë të re, të tërën në gjuhën angleze. Për grupin ka shumë arsye pse e kanë realizuar në këtë gjuhë. “Njëra prej arsyeve është edhe zhanri të cilin ne e kultivojmë, që është një zhanër ndërkombëtar. Me një fjalë e kemi pa të arsyeshme që me qenë edhe gjuha angleze që është një gjuhë ndërkombëtare. Po ashtu e kemi edhe një numër të konsiderueshëm të dëgjuesve, të cilët nuk e kuptojnë gjuhën shqipe.

Kënga “Inside”, që sapo është realizuar edhe me videoklip, për grupin do të jetë një këngë që për ta mund t’ua çelë dyert edhe në skenën ndërkombëtare të muzikës.

“Po! Skena ndërkombëtare ka qenë gjithmonë një prej synimeve qysh nga formimi i grupit. Mirëpo depërtimi është shumë i vështirë duke e pas parasysh numrin e jashtëzakonshëm të bendeve në mbarë botën - gjithashtu edhe kualitetin ku ne si Toxin jemi duke punuar shumë (pra në përmirësimin/zhvillimin e performancës si live ashtu edhe në kompozimin e këngëve)”.

Më parë grupi edhe ka realizuar një album në vitin 2008, ku edhe i kanë punuar tri videoklipe. Suksesi, sipas tyre, është solid. “Ndërsa për të ardhmen planifikojmë të qesim në shitje albumin e dytë, mirëpo nevojitet një strategji për shitjen e tij, pasi që harxhimet janë të mëdha dhe adhuruesit e rokut janë ‘free downloadera’ mjaft të aftë”, thonë ata.

Roku në festival

Sa i përket pjesëmarrjes së grupit nëpër festivale, anëtarët e tij thonë se kanë marrë pjesë me një këngë në Top Fest, duke u paraqitur me zhanrin e tyre. “Mirëpo, nuk kemi arrit në finale pasi që muzika që bën bendi ynë në Shqipëri ka diçka të re dhe ragimi ka qenë pothuajse i njëjtës sikur në Kosovë në vitin 2004. Por, në edicionin e ardhshëm të Top Fest mendojmë të marrim prapë pjesë”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›