E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më në fund Turi dhe Orinda pranojnë lidhjen

E kanë mbajtur super të fshehtë marrëdhënien e tyre të dashurisë… Edhe pse në fakt prej kohësh ajo flitet e përflitet në ambientet e botës së spektaklit por edhe të televizionit Vizion Plus. Aq më tepër që zërave u dha krah vetë afrimi I këngëtares bukuroshe Orinda Huta në televizionin e sipërpërmendur, nisja e emisionit të saj aty, e më tej përzgjedhja si imazh i platformës digitale Tring… nga ana tjetër qëndron Turjan Hyska, djaloshi simpatik i grupit “Produkt 28” dhe producent i programit të humorit “Apartamenti 2XL”. Dy të rinjtë, që po e shijojnë lidhjen e tyre tashmë 3-vjeçare e kanë mbajtur hermetike në maksimum atë. Edhe pse shpesh në media është komentuar marrëdhënia e tyre, ata asnjëherë nuk kanë reaguar për ta mohuar apo deklaruar vetë diçka më konkrete rreth tyre. Ashtu siç ndodhi mbi një vit më parë, kur edhe pse dihej lidhja e Turit me Orindën, ata të dy dukeshin në ambiente publike në rrethin e miqve. Siç i pamë në rastin e koncertit të grupit italian “Planet Funk” në qershorin e kaluar. Turi dhe Orinda me miqtë e tyre çiftin Fabi-Olta (Fabiani, bashkëkëngëtar i “Produkt 28” dhe Olta balerinë) u panë dhe fotografuan për herë të parë si çift në një ambient publik. Më pas asnjë e re rreth tyre. Thashetheme lart e poshtë, që kishin të bënin me lidhjen e tyre që forcohej gjithnjë e më shumë, por asnjë foto, asnjë dalje e dukshme në festa dhe ceremoni festive…

Fotot paparac

Pak javë më parë revista “Mat” publikoi foto të Turit dhe Orindës që i shfaqnin për herë të parë gjatë pushimeve në plazhin e Dhërmiut dy të rinjtë. Gjë që nuk u pëlqeu aspak dy të rinjve, e thuhet madje se vetë Turi kishte reaguar për publikimin e tyre… Edhe pse në këtë rast nuk kishte çfarë të mohonte a përgënjeshtronte. Fotot flisnin më shumë se mijëra fjalë… të dy shiheshin ndërsa i bënin ledha njëri-tjetrit… Orinda që përpiqej të hiqte gjembat që kishte shkelur në plazh Turi… të dy pranë e pranë shezlongëve duke u përkëdhelur… kapur për dore më tej… E pra sjellje të një çifti të dashuruar… udhëtimi i tyre ose më saktë pushimet e vërteta janë realizuar në vendin e preferuar për shumë shqiptarë këtë verë, Spanja… lajm ky fillimisht i pohuar nga miq të çiftit… por ja që dje janë publikuar për herë të parë fotot që i shfaqin të dy së bashku në ambientet e mrekullueshme të Spanjës. Foto këto që i sjellim edhe në faqet e gazetës “Mapo”, e ku të dy, Turi dhe Orinda, duken shend e verë… Nuk ka sesi të mos jenë në fund të fundit. Të dy në krahët e dashurisë, në një vend ku aventura nuk ka mbarim… Orinda e mbështetur në krahët e të dashurit të saj dhe gëzimi lexohet në sytë e të dyve.

Bashkëjetesa

Marrëdhënia e tyre nuk është një histori vere që nis e rrokulliset shpejt… përkundrazi… Ajo ka lindur serioze dhe duket se po vazhdon e tillë edhe më shumë. Gjë që e tregojnë edhe hapat që kanë ndërmarrë dy të rinjtë. Pikërisht të nisin një bashkëjetesë, në shtëpinë e blerë prej Turit. Kështu janë lajmet e bëra tashmë publike nga miq pranë çiftit… hapa këta që legjitimojnë edhe më shumë marrëdhënien e tyre. E madje tashmë që kjo histori është pjekur duket se dy të rinjtë kanë vendosur të mos mbajnë më sekrete me publikun. Duke zbuluar për herë të parë vetë këto foto pushimesh.

Lidhja

Ka qenë pikërisht ambienti i muzikës që i ka afruar dy të rinjtë. Bashkëpunimi i Orinda Hutës me Albanin, një prej djemve të grupit “Produkt 28” forcoi miqësinë mes grupit dhe vajzës bukuroshe. Por që mes saj dhe njërit prej tyre shkëndija u konkretizua në një lidhje dashurie, që ka nisur prej gati tre vjetësh. Ka qenë Turi, djali simpatik që njihet edhe si prezantues në një televizion në vend, ai që rrëmbeu zemrën e Orindës. Të cilën, nuk kaloi shumë dhe e afroi në televizionin ku ai punon prej vitesh. Si fillim Orinda u pa të ishte pjesë e një projekti televiziv, si bashkëprezantuese. Pas kësaj sipërmarrjeje jo shumë të suksesshme për këngëtaren Huta, ajo u përzgjodh si imazh i kompanisë digitale Tring, ku duket se ka shkëlqyer. Këto iniciativa në televizion e kanë larguar pak nga muzika në fakt këngëtaren, ashtu sikurse edhe Turin. Por ndërsa ky i fundit e ka bërë së bashku me djemtë e “Produkt 28”, Albanin dhe Fabin gati këngën e re…, Orinda duket se ka ngelur pas në këtë drejtim. Megjithatë, festivali “Kënga Magjike”, ku Orinda përherë ka sjellë këngë të bukura e është shpërblyer me çmime ka filluar aplikimin, e nuk është aspak çudi që ajo të jetë pjesë e tij pas një viti mungesë në të.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›