E Diel, 1 Nëntor 2026

Trabzonspori, Kukësi sot sytë nga UEFA

Befasia "Kukësi" akoma nuk i ka humbur shpresat për ta shijuar fazën e grupeve të Europa League, ndonëse Kukësi është eliminuar në "play-off" nga skuadra turke e Trabzonsporit. Ndonëse është shqyrtuar që dje çështja e ekipit turk, ku përflitet se është i përfshirë në fiksime rezultatesh, vetëm sot pritet të dalë vendimi në lidhje me një dënim ose jo të Trabzonsporit. UEFA do të vendosë sot në lidhje me dyshimet e trukimit të disa ndeshjeve gjatë vitit të kaluar që janë ngritur mbi ekipin turk. Nëse do të provohet një gjë e tillë, siç ndodhi me ekipet e tjera turke, Fenerbahçe dhe Beshiktash, do t'i takojë Kukësit të zëvendësojë Trabzonsporin në Europa League.
PRECEDENTËT
Jo më larg se fundi i muajit gusht i këtij viti kemi dy precedentë në lidhje me përjashtimin nga veprimtaritë europiane dhe zëvendësimin e tyre me rivalët që ishin përballë ose me short. Dhe si për ironi të fatit, janë dy skuadra turke që janë përjashtuar për të paktën këtë sezon nga Liga e Europës, Fenerbahçe dhe Beshiktash. Përpara fillimit ta garave europiane, u përjashtua Metalist i Ukrainës, po për përfshirje në baste. Më pas u takoi dy skuadrave turke. Fenerbahçe eliminohet nga Champions League nga Arsenali dhe i takonte të ishte në grupe të Ligës së Europës. Pas përjashtimit, u hodh short i lirë për 31 skuadrat e eliminuara, por fati nuk qe me Kukësin dhe Skënderbeun. Ndërsa pas përjashtimit të Beshiktashit, iu dha e drejta Tromsos, ekipi që u ndesh në "play-off". E njëjta gjë mund të ndodhë me Kukësin nëse përjashtohet Trabzonspori.
KALENDARI
Mediet turke shohin një ftohje të presidentit aktual ndaj ekipit dhe vonesat në pagesa ndaj lojtarëve më të kushtueshëm, si Maluda dhe Bosingva. Përveç kësaj, duket se klubi nuk e ka ngritur fare zërin rreth kësaj çështjeje, ndoshta duke e ditur që do të humbin, ndërsa stërvitjet dhe grumbullimet nuk kanë pasur si qëllim Ligën e Europës. Ndeshja e parë në Europa Ligë për Trabzonsporin do të luhet më 19 shtator në Limasol, ora 21:05, kundër Apollonit. Nëse do të dënohet Trabzonspori, atëherë do të luajë pikërisht Kukësi ndeshjen e parë në Qipro. Ndërsa më 3 tetor kuksianët do të presin Lacion, ku përballë mund të jetë Lorik Cana dhe Etrit Berisha. Kujtojmë që Kukësi shkoi deri në "play-off" të Ligës së Europës, duke kaluar tri ture. Edhe Skënderbeu shkoi në këtë fazë, madje vetëm penalltitë e eliminuan, pasi sot mund të ishte në grup me Dinamo Zagrebin dhe PSV-në. 
(a.k/E.Ilnica/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›