Tradita e gështenjave në Reç, kultivimi dhe përpunimi mbetet burim kryesor të ardhurash për banorët

Reçi, një ndër fshatrat më të njohur të Malësisë së Madhe, njihet prej vitesh për kultivimin e gështenjës, një produkt që ka bërë të famshme këtë zonë në mbarë vendin.
Tradita e mbjelljes dhe përpunimit të gështenjës është trashëguar brez pas brezi, duke u kthyer në burim kryesor të ardhurash për shumë familje.
Xhevahiri merret me kultivimin dhe pjekjen e gështenjave, të cilat më pas i shet tek vizitorët që vijnë në fshat.
“Prodhimi i gështenjës ka qenë ndër më të mirët. Vijnë nga zona të ndryshme, nga jugu; vijnë sepse e vlerësojnë vendin për prodhimet e tij. Prodhimet janë bio”, tha Xhevahiri.
Banorët shprehen se, pavarësisht sfidave që sjell moti apo tregu, do të vijojnë ta ruajnë këtë traditë, e cila është bërë tashmë pjesë e identitetit të Reçit.
“Kemi marrë gështenja, sepse është një prodhim shumë i mirë,” u shpreh banori.
Gështenja e Reçit vlerësohet për cilësinë e saj të lartë dhe shijen karakteristike, çka e ka bërë një produkt të kërkuar në tregun vendas dhe atë të huaj. Çdo vjeshtë, fshati gjallërohet nga aktivitetet e mbledhjes së gështenjave dhe nga panairet që promovojnë këtë pasuri natyrore të zonës.
Gazetar: M. Rakaj
/rtsh.al/