Trafik në Durrës, dhjetëra automjete në radhë
DURRËS- Trafik i rënduar dhe makina në pritje sërish në rrugën e Shkëmbit të Kavajës. Pas një dite dhe nate shumë të vështirë për udhëtarët që vendosën të pushonin në këtë zonë, ankthi është rikthyer sërish. Dita e sotme ka qenë problematike, ndërkohë që pasditja pritet të shtojë edhe më shumë makinat në pritje të zhbllokimit të rrugës.
Sipas burimeve nga Durrësi mësohet se aks problematik mbetet Shkëmbi i Kavajës-Plepa, në të cilin qarkullimi bëhet me 'ritmin e breshkës'. Segmenti që në kushte të zakonshme bëhej për 3 minuta tashmë nuk kalohet dot pa 20 minuta. Pushuesit shprehen të pakënaqur pasi kështu jo vetëm që humbasin kohën e planifikuar për rrezitje në diell, por humbasin edhe durimin, duke qëndruar brenda automjeteve.
Shkak i këtij trafiku të rënduar mbeten punimet që po zhvillohen për zgjerimin e kësaj rruge, punime që duhej të kishin mbaruar që më 30 qershor.