E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikanti shqiptar,incident në Milano

 

Pushimet e gjyqtarëve italianë rrezikojnë ekstradimin e shqiptarit Armand Bogdani, i dënuari me 13 vite burg për trafik droge. Mungesa e autorizimit për të kaluar të arrestuarin në territorin italian, gati sa nuk ka shkaktuar një incident në aeroportin e Milanos, ku policia italiane tentoi të ndalonte kalimin e shqiptarit, që po ekstradohej nga oficerët e Interpol Tirana. Ndërhyrja e përfaqësuesve të Zyrës së Interpolit në Itali dhe në Shqipëri, zhbllokoi situatën dhe mundësoi ekstradimin e të dënuarit, që vinte nga Anglia në drejtim të Shqipërisë. Për të mbërritur në Shqipëri, i ekstraduari duhej të kalonte në rrugë transit nëpërmjet Milanos. Pikërisht në aeroportin e Milanos, personi që po ekstradohej nga Anglia ka mbetur në avion bashkë me oficerët që e shoqëronin. Kjo për shkak se pushimet e trupës së Gjykatës së Milanos koinçidonin pikërisht me periudhën aktuale. Kjo situatë ka bërë që leja e kërkuar nga autoritetet shqiptare për të tranzituar një person të arrestuar të mos jepej në kohë nga gjykatat italiane. Qëndrimi në territorin e aeroportit jashtë transitit, duket se ka sjellë edhe rrezikimin e ekstradimit të të arrestuarit që po vinte në Shqipëri. Kjo për faktin se avioni i linjës me të cilin ata kishin mbërritur në Milano, po përgatitej për një tjetër udhëtim. Në këtë kohë, ka ndodhur ndërhyrja nga Tirana, krerët e Interpolit Shqiptar kanë komunikuar me homologët e tyre italianë. Pas këtij komunikimi të autoriteteve të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, situata është zgjidhur. Autoritetet kufitare të policisë italiane në Milano, kanë lejuar kalimin e të arrestuarit. Ai është nisur me avionin e linjës në drejtim të Tiranës, ku iu është dorëzuar autoriteteve të burgjeve shqiptare. Armand Bogdani, personi i ekstraduar dje nga Anglia, sipas policisë është shpallur në kërkim dhe më pas është dënuar nga Gjykata e Apelit të Gjirokastrës, me 13 vite burg në mungesë, me akuzën e trafikitim të narkotikëve. Ngjarja për të cilën akuzohet Bogdani, ka ndodhur më 4 korrik të vitit 2002, kur ai ka tentuar trafikimin e 1.720 kilogramëve marijuanë në drejtim të Greqisë. Droga duhej të kalonte nga Shqipëria, në drejtim të Greqisë, ndërsa një person i arrestuar ka pohuar se lënda ishte e Armand Bogdanit. Gjatë procesit gjyqësor për ekstradimin e tij, prokuroria angleze ka përdorur si argument se marijuana ishte e destinuar për tregun anglez. Nëse ajo do të kishte qenë e një cilësie të mirë, vlera e saj kapte shifrën e 7.8 milionë paundëve. Armand Bogdani i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2002, është arrestuar në Notingem.               d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›