Trafikonin armë zjarri nga Kosova në Tiranë, dy të arrestuar

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova me qëllim shitjen në Tiranë është goditur nga policia, ndërsa dy persona kanë rënë në pranga.
Policia njoftoi se “si rezultat i hetimeve disamujore të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së armëve të zjarrit, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Suspend”, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit: A. P., 23 vjeç dhe K. P., 53 vjeç, të dy banues në Kosovë”.
“Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në autostradën “Lezhë – Fushë-Krujë”, automjetin me të cilin qarkullonin shtetasit A. P. dhe K. P., në të cilin, gjatë kontrollit, kanë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar pistoletat nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë,me vlerë afro 10 000 euro”, njoftoi policia.
Vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/a.f//r.e/