Rama: Përballë kemi çeta, patronazhistët janë qeliza të PS

TIRANË, 1 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se përballë Partisë Socialiste në 11 maj nuk ka parti, por ka çeta, ndërsa nënvizoi vlerën e patronazhistëve si qeliza të PS-së.
Në një komunikim live në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama theksoi se ka një ndryshim shumë themelor mes PS-së dhe të tjerëve.
“Të tjerët nuk janë parti, nuk kanë parti. E shikoni vetë se çfarë ndodh në përgjithësi. Nuk kanë parti, janë çeta, turma, tufa, grupe. Nuk janë parti, janë gjymtyrë të shpërndara që bashkohen dhe montohen por nuk arrijnë dot të harmonizohen dhe të artikulohen. Është kua-kua-kua nga të katër anët, është qamet i madh”, shtoi Rama.
Ndërkohë duke folur për patronazhistët, Rama tha se “këtë vit i kemi në superformë”.
“Patronazhistët i kemi ngritur në nivel tjetër. J’ua kemi thënë këtyre që shajnë mos i ngacmoni se motivohen më shumë, mos i cysni se janë ambicioz të mëdhenj dhe janë shumë të fokusuar te kjo punë. U pëlqen shumë kjo punë dhe janë vërtetë qeliza të PS-së. Kush nuk është në PS nuk e kupton se për çfarë po flas dhe flet përçart pastaj”, tha Rama.
/a.f/