Zonja plakë mes studentëve
Breht dhe Dyrrenmat në lojën e studentëve. Pasi kalon nga artileria e rëndë e Teatrit Kombëtar ku inskenimet e fundit ta heqin shpresën se teatri ynë mund të jetë një rast i gëzueshëm e ku njëkohësisht mëson, dy net në Black Box të Akademisë së Arteve të tregojnë të kundërtën
Janë disa libra, filma, pjesë teatrale që për arsye të ndryshme i ke harruar a i ke lënë mënjanë për një copë herë të gjatë dhe pastaj, kur i takon rishtas, i gjen me freskinë e herës së parë, nuk mërzitesh t'i lexosh a t'i shohësh përsëri nga fillimi në fund. Kjo është cilësia e veprës që e quajmë "të madhe" se nuk dimë ç'emër tjetër t'i vëmë.
Ndërkohë që shumica e veprave të krijuara në këtë botë ngecin dikur në shtratin e madh e të tharë të lumit harresë, na ngjallin mërzi e trishtim në shpirt kur ndodh që t'u kthehemi, si disa fotografi ose fletore të vjetra shkolle, ato vazhdojnë ecin me ne, ne kemi nevojë përsëri e përsëri të ulemi e të shuajmë etjen prej tyre.
Jam i sigurt që shumë njerëz kanë të tilla vepra të dashura dhe i kanë fare pak, aq sa mjaftojnë gishtërinjtë e duarve për t'i numëruar. Askush të mos kujtojë se është pak i kulturuar në qoftë se nuk gjen më shumë se shtatë të tilla.
Për vete kjo më ndodh me Don Kishotin, Aventurat e Hakëlberi Finit, Shndërrimin e Kafkës, Jetën e ëmbël të Felinit... Vizitën e zonjës plakë të Dyrrenmatit.
Kisha harruar që kjo e fundit hynte këtu, por u binda sapo e ndesha pak ditë më parë në një shfaqje të studentëve të dramës në Akademinë e Arteve. Edhe pse në version të shkurtuar e të përmbledhur, po kjo, për çudi, nuk luante ndonjë rol.
Lexuesit - që mund ta ketë parë një shfaqje të kësaj drame në vitet 90 në Teatrin Popullor - po i kujtojmë me pak fjalë subjektin e kësaj pjese që u vu në skenë për herë të parë në Zyrih më 1956: Miliarderja Klara Cahanasian viziton 45 vjet pasi e ka lënë qytetin e lindjes e të rinisë, Gylenin (emër i sajuar nga fjala Gülle = fekale), një skutë të humbur diku në Zvicrën e pasluftës, të rrënuar ekonomikisht e të varfëruar.
Ajo vjen me shpurën e vet, me shumë valixhe dhe me milionat e saj që ngjallin te paria dhe gjithë banorët e qytetit shpresën se do t'i nxjerrë nga mjerimi.
Por sjell me vete edhe një arkivol: pasi miliarderja, ish-prostitutë në Hamburg që ndërroi statusin shoqëror kur u martua me një manjat nafte (Cahanasian është amalgamë e tre emrave miliarderësh shumë të njohur në vitet 50, mes tyre edhe Onasis), kërkon të bëjë drejtësi në qytetin amtar.
Ajo vërtet u premton banorëve të tij një miliard, por me një kusht, që të vrasin Alfred Ilin. Alfred Ili, një shitës i rëndomtë, i varfëruar si gjithë të tjerët, që tani ka dalë ta presë bashkë me të tjerët "mackën", "shtrigushen" e vet të dikurshme, në rini kish qenë i dashuruar me Klarën - emri i vërtetë Klara Vesher (Wäscher = rrobalarëse), ishin endur nga plevica në pyll e në shtëpi vejushash në dehjen e dashurisë së tyre, por pastaj, pasi Klara pat mbetur me barrë Ili e kish lënë.
Ishte martuar me një tjetër, më të pasur, ndërkohë që shtyu, në gjyqin e hapur nga Klara për punë të atësisë, dy dëshmitarë të rremë për të treguar që ata e kishin lënë vajzën shtatzanë, jo ai. Si braktiset në këtë mënyrë, Klara ikën nga Gyleni për të përfunduar siç e përmendëm, kurvë në Hamburg.
Kthimin dhe hakmarrjen e ka përgatitur në detajet më të vogla.
Për maxhordom ka ish-gjykatësin që dha atëherë vendimin e gabuar, për shërbëtorë dy dëshmitarët e rremë që më pas i kishte tredhur e verbuar, pa ka me vete edhe bashkëshortët VIII dhe IX, ky i fundit mbajtës i çmimit Nobel (të cilin fatkeqësisht por dhe jo rastësisht Dyrrenmati vetë nuk e mori ndonjëherë).
Bashkësia e banorëve në fillim e hedh poshtë me indinjatë propozimin për të vrarë një bashkëqytetar - se fundja "jetojmë në një shtet juridik, në Perëndimin e qytetëruar" etj..
Mirëpo pas kësaj dalëngadalë Ili vëren se në dyqanin e tij njerëzit fillojnë të blejnë gjëra të shtrenjta me kredi, sheh pastaj se veshin këpucë e rroba të reja, blejnë automobilë, deri dhe vajza e vet fillon të luajë tenis. Të gjitha me para të huajtura deri në ditën kur... kur do të vritet Alfred Ili.
Skena e mbytjes së bashkëqytetarit është finalja e tragjikomedisë.
Banorët kanë krijuar një rrugicë të ngushtë nga duhet të kalojë Ili, pastaj i mblidhen dalëngadalë lëmsh përrotull dhe në këtë rrëmujë të shpejtë, ku nuk dallohet ndonjë vrasës individual përveç vrasësit kolektiv, e mbysin. Mjeku i qytetit konstaton "vdekje nga pushimi i zemrës".
Klara Cahanasian e merr me vete ish të dashurin e rinisë në arkivolin e përgatitur qysh më parë për ta prehur përgjithmonë në një mauzole pranë vilës së saj në ishullin e Kaprit.
Tani rri e mendoj, përse nuk e humbet freskinë kjo vepër e shkruar 54 vjet më parë?
Dyrrenmati ka krijuar një tragjikomedi që duket sikur ushqehet sa nga arsenali i tragjedisë klasike greke, me parathënien e fatit dhe përmbushjen e pashmangshme të tij, me Kler Cahanasianin si një Medea e akullt në realizimin e planit të vet, aq dhe nga ai i komedisë burleske tërësisht në traditën gjermane të kabaresë, nga Valentini e Tuholski, te Brehti i Operës për tre groshë ose i Arturo Ui-së.
Por kaq prapë nuk mjafton për të gjetur pse kjo vepër është vazhdimisht aktuale. Madje Dyrrenmati indinjohet kur dëgjon se i mveshin stratagjema, thurje alegorish të ndryshme etj.
Ai veprat i nxjerr nga aktualiteti "kjo gurore nga nxjerr blloqet për komeditë e mia" dhe i shkruan ato për teatrin, sepse "një pjesë teatrore për mua luhet sipas mundësive të skenës dhe jo nën mveshjen e kudiunë çfarë stili" (nga shënimet në pasthënie të dramës)
E pra nuk është thjesht mjeshtëria e shkrimtarit në thurjen e tragjikes me komiken, në futjen e farsës mes një ngjarjeje dramatike ku luhet me jetën dhe vdekjen, është diçka më shumë.
Dyrrenmati duket sikur me këtë pjesë i shkon deri në fund natyrës njerëzore. Kur na zbulon p.sh. se të gjithë njerëzit janë të bleshëm e më shumë se kaq madje, se edhe një bashkësi njerëzish siç është një qytet, është e bleshme si tërësi. "Bota më bëri kurvë, e unë do ta bëjë tani atë bordell" thotë Cahanasiani dhe vërtet e realizon kërcënimin e saj.
Nuk është e nevojshme të japim shembuj këtu nga aktualiteti ynë dhe ai botëror, se si në kohën e Dyrrenmatit, ashtu dhe para tij, po ashtu dhe pas tij njerëzit, bashkësitë, qeveritë, në momente të caktuara ose edhe rregullisht janë të bleshëm.
Ata janë të varur keqas nga nevojat materiale, të cilat për çudi nuk ndalen te "nevojat e domosdoshme", por i kthejnë në të domosdoshme edhe ato nevoja që deri dje mund të mbaheshin si luks duke e futur kështu njeriun, në fakt gjithë njerëzimin në një qerthull vicioz të pashpëtim.
Dyrrenmati është në përgjithësi tepër skeptik ndaj qenies njeri. Diku thotë se "njeriu është një kafshë grabitqare që shfaq herë pas here nuanca humane", në një vend tjetër "bota është një fabrikë e madhe baruti, ku nuk ndalohet duhani".
Ishte sa armik i ideologjive të mëdha ("ideologjia është një rregullvënie për ata që nuk duan të mendojnë më tej") aq dhe i trullosjes së kokave me masmedia ("në BRSS njerëzit budallallepsen nga Partia, në SHBA nga televizioni") ose me nacionalizëm ("një shtet e quan veten atdhe kur bëhet gati t'i çojë njerëzit në luftë").
Te "Vizita e zonjës plakë" arriti ta çojë shumë thellë bisturinë e tij, por jo dhe më pak te drama tjetër "Fizikantët" ose te novela "Avaria", të cilën gjithashtu kam patur kënaqësinë ta përkthej në shqip.
Shfaqja e ditës së premte nga studentët që përmendëm, nën drejtimin e regjisorit dhe pedagogut Arben Kumbaro, na befasoi pikërisht për freskinë me të cilën ishte ndeshur kjo pjesë që nuk di të vjetërohet.
Pasi kalon nga artileria e rëndë e Teatrit Kombëtar, ku inskenimet e fundit si "Kush ka frikë nga Virxhinia Ulf" ose "Elektra" ose "Darka e gabuar" ta heqin shpresën se teatri ynë mund të jetë një rast i gëzueshëm ku dëfrehesh e njëkohësisht mëson, pasi në to gëzimi mungon krejt, dy net në Black Box të Akademisë së Arteve të tregojnë të kundërtën.
Një natë më parë të enjten, ishte shfaqur një kolazh nga "Frikë e madhe dhe mjerim në Rajhun e Tretë" e Bertolt Brehtit, me po të njëjtin ritëm, me po atë lehtësi të durueshme të skenës sikurse te "Vizita".
Një produksion që s'besoj se kishte kushtuar më shumë se dy a tre qind mijë, një barrakë e vogël si nevojtore e stacionit të trenit, pak valixhe, pak kartona bosh, një arkivol, këpucë të verdha si shenjë e rritjes së mirëqenies ndër qytetarë të Gylenit, një klarinetë - ja kaq pak rekuizitë mjaftoka për të të dhënë gëzimin që thamë.
Natyrisht qe loja e mrekullueshme e aktorëve të rinj dhe ritmi i së tërës çelësi që ti nuk ndieje mërzi asnjë minutë.
Shfaqje të tilla nga njëra anë të shkaktojnë pezm, nga ana tjetër të japin shpresë. Pezm kur mendon se "kur të dalin në jetë" këta aktorë e regjisorë të rinj të talentuar ose do të përplasen pas gardhit të profesionistëve dhe institucioneve të çimentuara, që janë më të forta se talentet e që do t'i detyrojnë këta të bëhen si vetja, në mos të ndërrojnë profesion, ose do të shkojnë dikund në ndonjë TV të bëjnë karagjozllëqe.
Shpresë kur sheh se teatri nuk qenka ndonjë punë aq e shtrenjtë sa e bëjnë. Me fare pak mundim në skenat tona pjesët klasike të teatrit botëror do të mund të hynin si repertor i rregullt.
Ama, që të mos bëhemi kot naivë, me kusht që të ndryshohet mekanizmi. Apo më saktë, të shpërthehet mekanizmi? Kusht që sot po më duket aq i rëndë sa kushti që i vuri Klara Cahanasian qytetit Gylen.