E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i armëve, 10 përgjimet

Afera e MEICO me armët në Afganistan Akuzat për korrupsion me paratë e qeverisë amerikane. Firma fantazmë, kontratë me MEICO-n TIRANË- Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari, të arrestuarit tragjedinë e Gërdecit nuk kishin për herë të parë që bashkëpunonin në biznese miliona dollarëshe për tregtinë e armëve. Përveç skandalit të tankeve, të disa viteve parë, ata u gjendën sërish bashkë në Gërdec, ku përveç kontratave për çmontimin e municionit, MEICO dhe "Albademil" bënin sipas dëshmive dhjetëra punëtorëve, edhe paketim arkash me fishekë, të cilat eksportoheshin më pas drejt portit të Durrësit. Por Gërdeci nuk ishte afera e parë. Delijorgji dhe Pinari gjenden përfshirë në shitjen e armëve për një tjetër kompani amerikane: AEY.Inc, e cila blinte municion nga Shqipëria për llogari të qeverisë SHBA-së, për furnizimin me armë të ushtrisë së Afganistanit. Edhe pse kompania amerikane kishte kontraktuar një tjetër firmë shqiptare për paketimet, ajo është detyruar nën presion të prishë kontratën e parë dhe të lidhej me Mihal Delijorgjin. *** Procesi i paketimit të fishekëve për ushtrinë afgane, të cilin gazeta "Shekulli" zotëron dokumentet ka nisur normalisht. Firma amerikane, ka një tender prej më shumë 400 milionë dollarësh nga qeveria e SHBA për të furnizuar me armë Afganistanin, ka nënkontraktuar fillimisht një kompani shqiptare paketimesh, e cila për një kontratë 280 mijë dollarëshe duhej të ripaketonte plumbat që ndodheshin në kuti metalike të municioneve kineze. Kompania shqiptare e ripaketimit arriti punonte vetëm për një nga setet që do të niseshin nga Shqipëria në Rinas. Më pas, nën presionin e kreut të MEICO-s, Ylli Pinari dhe Delijorgjit, kompania nënkontraktuese e humbi këtë të drejtë dhe paketimin e mori në dorë Mihal Delijorgji. Presioni dhe lidhja ngushtë e Pinarit me Mihal Delijorgjin denoncohet nga kreu i kompanisë amerikane AEY. Në një bisedë telefonike, presidenti i AEY.Inc i thotë presidentit të kompanisë shqiptare se ai nuk kishte mundësi të luftonte kundër Pinarit dhe Delijorgjit. "Edhe pse Pinari ma kërkoi dhe ai është duke më detyruar mua që ta bëj, unë nuk e kam mbështetur asnjë herë këtë vendim. Jam shumë, shumë i mërzitur. Jam shumë i shqetësuar",- thotë Diveroli në bisedë me ish-ortakun e tij. Ky i fundit, pasi kishte vizituar Shqipërinë është detyruar të pranojë fillimisht vonesën e municionit që duhej të çonte në Afganistan. Burimi (emri i të cilit nuk i ditur për arsye sigurie) shpjegon se Diveroli nuk ta kundërshtonte vendimin e Pinarit për të punuar me Delijorgjin, pasi ky të vononte municionet në këtë mënyrë t'i shkatërronte atij marrëveshjen që kishte me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sidoqoftë, ky nuk ishte i vetmi problem që kishte Diveroli me kompaninë shqiptare të shitjes së armëve. *** Ndërsa kishte kërkuar të blinte 4 milionë dollarë municione nga MEICO, Diverolin e kishin detyruar po në mënyrë të tërthortë të mos i blinte këto armë me kontratë të drejtpërdrejtë, por përmes një kompanie të tretë me emrin "Evdin.Ltd". Nga kërkimet e bëra prej "Shekullit", kjo është një kompani off-shore (zonë pa taksa) në Qipro, pikërisht aty ku kohë më parë, Delijorgji kishte ngritur për të fshehur të ardhurat e tij kompaninë "Përparim.s.a.". "Evdin.Ltd" e drejtuar nga Henry Tomei (emri i vërtetë mendohet të jetë Heinrich Thomet) blinte armët nga MEICO dhe ia shiste ato më pas kompanisë amerikane AEY, me dyfishin e çmimit. Kështu, nëse një paketë plumbash shitej nga MEICO me 22 dollarë, kjo e fundit i kushtonte AEY.Inc 40 dollarë, një shtesë prej 18 dollarësh, të cilat sipas burimit ndaheshin mes palës shqiptare dhe drejtuesit të "Evdin.Ltd". Edhe pse "Shekulli" disponon dokumente të kontratës mes AEY.Inc dhe MEICO, pronari i kësaj kompanie, Efraim Diveroli, ka mohuar për gazetën se kishte marrëveshje me të. Gjithashtu, e vështirë është të kontaktohet edhe Henry Tomei, i cili është banor i Zvicrës, por që me emrin Heinrich dyshohet se ekziston në listat e OKB për problemet me trafikun e armëve. Ky biznes i dyshimtë për furnizimin me armë të ushtrisë së Afganistanit është komplikuar më tej, në kohën që kreu i AEY, Efraim Diveroli ka pohuar gjatë bisedave telefonike se pas Ylli Pinarit dhe Mihal Delijorgjit në tregtinë e armëve, fshihet djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha. "Shekulli" publikon sot të plotë përgjimet telefonike, të cilat nxjerrin në skenë aferat korruptive miliona dollarëshe në tregtinë e armëve shqiptare drejt Afganistanit. Shkëlzen Berisha: Rrethanat e takimit tim me Trebickën TIRANE- Në një e-mail dërguar në redaksitë e mediave dje pasdite, të titulluar "E vërteta e akuzave ndaj meje" Shkëlzen Berisha thotë se "çdo pretendim apo aludim per perfshirjen time ne tregti te ligjshme apo te paligjshme armesh eshte i pavertete dhe perben shpifje". Por djali kryeministrit pranon të jetë përfshirë në një takim me biznesmenin shqiptar Trebicka, duke mohuar të ketë takuar biznesmenin amerikan Diveroli. Mbetet e paqartë me çfarë statusi është ulur këtë tryezë djali i kryeministrit dhe cilët janë personat e tjerë në tryezë të cilët ai i identifikon si miku im" dhe "personi që e shoqëronte" Trebickën. Ja shpjegimi jep via email z.Berisha lidhur me këtë takim:"E gjithe dijenia ime per çeshtjen ne fjale konsiston në këtë episod: Gjate veres data nuk me kujtohet), nje miku me kerkoi te prisja ne takim nje person te quajtur Kosta Trebicka, per nje shqetesim te ketij te fundit. Ne vijim, ne prani te mikut tim, per here te pare dhe te fundit, kam takuar Z.Trebicka. Duke m'u prezantuar, Z.Trebicka me sqaroi ishte pronar i nje kompanie Shqiptare qe pretendonte te nenkontraktohej nga nje kompani amerikane, e cila kishte kontrate me Ministrine e Mbrojtjes. Trebicka ngriti pretendimin se perfaqësuesi i kompanise amerikane i kish thene atij se une i kisha kerkuar kompanise amerikane qe mos zgjidhte per nenkontraktor Z.Trebicka por nje kompani tjeter. Ne prani te personit qe e shoqeronte, i thashe Z.Trebicka se nje gje e tille ishte e pavertete; se une kurre nuk e kisha njohur shtetasin amerikan per te cilin behej fjale; dhe se kurre nuk i kam sugjeruar atij ose ndonje tjetri lidhjen ose jo te kontratave ne nje sfere te tille aktiviteti. I bindur se kjo ishte thjesht nje trillim, ose ne rastin me te mire nje keqkuptim, i kerkova z.Trebicka ballafaqim me shtetasin amerikan te cilit ai i referohej. z. Trebicka me tha se ishte i bindur qe behej fjale per nje spekullim dhe u largua pa organizuar kurre nje ballafaqim te tille. Kjo ishte hera e pare dhe e fundit qe une kam takuar z. Trebicka. E gjithe kjo bisede eshte bere ne prani te personit i cili me kish kerkuar nje takim per Trebicka". Djali i kryeministrit e mbyll emailin e tij me fjalitë: "Vazhdoj te mbetem i hapur dhe i gatshem per çdo ballafaqim me personin ne fjale apo kedo tjeter qe ka pretendime te ngjashme, pasi e konsideroj investigimin ne çeshtje te tilla si nje e drejte legjitime e kujtdo. Por mbetem gjithashtu i vendosur per te marre te gjitha masat ligjore te mundshme, per te mos lejuar askend te perlyeje pa prova dhe fakte emrin dhe reputacionin tim dhe te familjes sime". Berisha: Mafia përdori emrin tim TIRANË- Kryeministri Sali Berisha i ka paraprirë dje bërjes publike të një tjetër skandali që lidhet me një bisedë telefonike për afera korruptive ku është i përfshirë edhe emri i Shkëlzen Berishës, djalit të kryeministrit. Gjatë debatit të zhvilluar në Parlament lidhur me tragjedinë e Gërdecit, ku thelbi i tij ishte fokusuar në trafikun e armëve, Kryeministri Berisha ka deklaruar se "djali i tij është përdorur nga mafia". Ndërsa ka replikuar me deputetin e PS-së, Gramoz Ruçi, i cili ka kërkuar nga Berisha shpjegime nëse djali i tij ishte i përfshirë në historinë e Gërdecit dhe të trafikut të armëve, kryeministri ka nxjerrë në skenë edhe emrin e Kosta Trebickës, i cili sipas tij, ka takuar djalin e tij Shkëlzenin. "Rezulton se është bërë një bisedë mes Trebickës në Tiranë dhe Diverolit, pronarit të firmës amerikane. Biseda është kjo që vijon;. Trebicka i thotë duhet të jem unë nënkontraktor për ambalazhet apo seç kishte. Në atë regjistrim që i bën Trebicka atij i thotë se këtë punë e ka në dorë Pinari. Djali më thotë mua kështu, kështu. A e njeh ti i them?. Nuk e njoh, por është e zakonshme, biznesmen, sa herë duan të kryejnë punë, thonë ka thënë kryeministri, ka bërë kryeministri. Çfarë marrë vesh para një muaji? Pse Trebicka shkoi te djali im? Jua them unë. Në këtë regjistrim Diveroli i thotë Trebickës këtë punë e ka në dorë filani. I dërgoni një prostitutë ta korruptosh ose 25 mijë dollarë. Këto i thotë. Janë të regjistruara. Më poshtë i thotë se kjo punë është shumë larg, është punë mafie, shumë lart ka shkuar, te kryeministri dhe djali i tij", është shprehur Berisha. Pasi ka marrë vesh këtë histori, Berisha tha se ai i ka bërë letër gazetës Nju Jork Times, dhe i informon mbi faktin se, gazetari që kishte ardhur për të hetuar mbi një aferë korruptive mbi trafikun e armëve, kishte një regjistrim të dy njerëzve që kërkojnë të korruptojnë me një prostitutë apo 25 mijë dollarë një punonjës të shtetit tonë, dhe këtë kërkon ta përdor si dëshmi. "Tani, nga doli kjo? Diveroli gënjeu. Absolutisht jo. Diveroli nuk gënjeu po jam i bindur që një nga këta mafiozët shqiptarë përdori emrin tim”- tha dje Berisha në Kuvend. Trafiku i armëve , 10 bisedat e përgjuara Përgjimi 1 TREBICKA: Ç'po bëhet me mikun tënd Pinari? DIVEROLI: Nuk e di, ti mund të më thuash. Bëre ndonjë marrëveshje me të për kutitë? K.T: Nuk dua të bëj marrëveshje me të, ti e di që ai është një plehra. Ti më the më parë se ai është një njeri i mafias, apo jo? DIVEROLI: Mendoj se është, mendoj se është i mafias ose mafia po kontrollon atë. Në të dyja mënyrat ai është një problem. Problemi është se unë nuk kam zgjidhje. Duhet të bëj marrëveshje me të. Qeveria Amerikane pret produktet. Nuk kam asnjë vendim për të marrë. Ti ke një vendim për të marrë. K.T: Ti do..unë mund të harroj për paratë e mia, ato që kam investuar atje..nuk kam asnjë problem.. nuk mund luftoj me këtë qeveri, nuk mund të luftoj me Pinarin. Sigurisht tani është në dorën tënde, nuk është në dorën time. Nëse Pinari do të vazhdojë të luajë me ty, nëse ai do të fusë njerëzit e mafias... Përgjimi 2 DIVEROLI: Ç'po ndodh me të gjithë punën e mutit këtu... (pjesë e padeshifrueshme bisede rreth Pinarit). Ok K., kompania që po bën paketimin mund të dojë të blejë materialin tënd të paketimit. K.T: OK shumë mirë, shumë mirë.. DIVEROLI: Unë do ta prish marrëveshjen...ajo që nuk është e mirë për ty nuk është e mirë për mua... K.T: Cila kompani, është ende Delijorgji, Mihal Delijorgji? Është kjo kompania? DIVEROLI: Nuk kam asnjë ide. Ne po presim për Pinarin që të na japë detajet e kompanisë. Unë do e shtyj këtë shitje shumë të fortë që ta shtyj deri sa ti të marrësh materialet e tua... Përgjimi 3 DIVEROLI: (disa fjalë për ato që duhen bërë për Diverolin. Në lidhje me paratë që biznesmeni shqiptar i ka atij borxh dhe një ngarkesë malli që duhet të niset. Bëhet fjalë për një shifër prej 2.5 milionë dollarësh që K.B i ka borxh Diverolit). Unë kam qenë 100% me ty. Unë nuk të largova nga kjo punë. E kupton? Nuk kam të bëj me këtë. Edhe pse Pinari ma kërkoi, dhe ai është duke më detyruar mua që ta bëj, unë nuk e kam mbështetur asnjëherë këtë vendim. Jam shumë, shumë i mërzitur. Jam shumë i shqetësuar. K.T: Ai po punon ende me Henry Tomei? DIVEROLI: Mendoj se po punon ende me Henrin. Unë po punoj ende me Henrin. Duhet të punoj me Henrin, jam duke punuar me Henrin. Përgjimi 4 DIVEROLI: Është një gjë që duhet ta kuptojë Pinari: Unë nuk jam shok me Henrin...nuk mund të bëj biznes majmunësh me mafian dhe Delijorgjin dhe gjithë ata njerëz të dhjerë në Shqipëri... Unë jam një kompani direkte, unë punoj për qeverinë, të gjithë po më vëzhgojnë. Pinari do njerëz si Henri në mes që të "kujdesen" për të dhe njerëzit e tij, por kjo nuk është puna ime. Unë nuk dua të di për këtë gjë. Dua të di për biznesin e ligjshëm. Kjo është ndjesia ime për situatën. Kjo është ideja ime, opinioni im. DIVEROLI: Si janë gjërat me ty për momentin K.T: Gjërat janë OK, jam i qetë, e ke parasysh. Po punoj fort, kam biznese të tjera për të cilat duhet të kujdesem dhe biznesi im ditor është ok, nuk kam probleme Përgjimi 5 Disa biseda të shkurtra për vizitën e presidentit Bush në Shqipëri K.T: Pinari është mirë për të, për presidentin tuaj. Aleks është i lumtur. Ai më tha se Pinari do të thotë ty për fluturimin e të mërkurës, nëse do të bëhet apo jo. Është në dorën tënde. Ti e di. Unë mund të të ndihmoj ty nëse has ndonjë problem tjetër. Më thuaj dhe do të të ndihmoj por mendoj se me Pinarin, njerëzit e tij të mafias, Delijorgjin dhe Henrin, do të jetë e vështirë për ty që të vazhdosh përpara sepse ata do të të hapin shumë probleme. Por ki parasysh, çfarëdo që të ndodhë , në çdo rast që do të të duhem më bëj një telefonatë. Ka shumë mundësi që unë do të thërritem në Uashington D.C nga njerëzit e CIA-s dhe miqtë e mi atje. Dy javë nga tani unë do të vij në Florida që të takohem me ty e të diskutojmë marrëveshjet e tjera. DIVEROLI: Më pëlqen kjo. Le ta bëjmë këtë. Përgjimi 6 DIVEROLI: Për momentin unë kam një marrëveshje shumë të mirë në Serbi për të cilën mund të kem nevojë për ca financime për ... K.T. Kam një ide, ndoshta ti mund të mbarosh paketimin e municioneve të martën. Për shembull mund të mbarosh paketimin për dy milionë e gjysmë që më ke borxh. K.T: Po. Po Diveroli: Pinari dhe Delijorgji do të shohin operacionin tënd që është duke lëvizur qetësisht dhe ata nuk do të duan ta përçajnë. Kështu ata do të blejnë material nga ty. Sepse ata nuk kanë përse të lëvizin atë që është aktualisht aty. Ata nuk kanë përse ti bien vërdallë, të udhëtojnë në Maqedoni dhe ti bien vërdallë. Ata mund të të japin ty paratë. Ndoshta kjo është një ide e mirë, besoj. Mendon se Pinari do ta bëjë këtë punë? K.T: unë mund ta bëj, mund ta vazhdoj punën... Përgjimi 7 K.T: Kam gjetur partnerë të mirë dhe mendoj se mund ta vazhdoj punën. Nuk e di për Pinarin, Delijorgjin dhe njerëzit e tyre të mafias.. nëse ata duan të punojnë ende me mua..por për mua është mirë..nuk dua të flas. Nuk do të hap gojën, do bëj gjithçka që më thua të bëj. DIVEROLI: Kuptoj...po të them se..unë mbroj ty, ti mbron gjërat e mia. Më lër që të flas me Pinarin. Pinari di ç'të bëjë me paketimin. Sepse ai po të largon ty nga pozicioni që ke. Nëse ai nuk e mbush atë pozicion në mënyrën e duhur do të jetë në një mal me telashe nga të gjithë. Kështu që ai mund të bëhet nervoz nga Delijorgji që nuk do të dijë të bëjë punën e tij, sidoqoftë... Ky është rasti më i mirë, kjo është ëndrra ime. Përgjimi 8 DIVEROLI: Ne na duhet të shtyjmë shitjen e materialit.. kështu të paktën ti nuk je i ekspozuar dhe unë nuk jam i ekspozuar. Apo jo? K.T: Ke shumë të drejtë. Ke 100% të drejtë DIVEROLI: Është opsioni A dhe opsioni B në këtë kohë. Ne do shkojmë në një derë por thjesht nuk jemi të sigurt në cilën. Përse puth bythën Pinarit edhe një herë tani. Merre në telefon, lutju, puthe, çfarë do qoftë.. Dërgo një nga kurvat e tua që t'ia bëjë atij.. le ta bëjmë atë të lumtur. Ndoshta të jep një tjetër shans të bësh punën. jo? K.T: OK. OK DIVEROLI: Ndoshta ai nuk është i organizuar, ndoshta do bëhet nervoz. (Duke folur sikur ai është Pinari) "Oh, ti e di nëse unë nuk e punën atëherë do të humb biznesin tim të municioneve". Ndoshta do të bëhet nervoz dhe ne mund të luajmë me frikën e tij. "Pinari, jepi pra. Më jep një tjetër shans". Jepi atij ca para, jepi diçka për xhepin e tij. Dhe ai nuk do të marrë shumë. Do të marrë 20 mijë dollarë nga ty... Përgjimi 9 DIVEROLI: Mund të jetoj me këtë. Më kupton? K.T: Po të kuptoj. Diveroli: Më njofto nesër. Le të flasim këtë darkë apo nesër dhe të vendosim nëse do të bëjmë variantin A apo B?. të flas me Pinarin, ti do të flasësh me Pinarin dhe do të marrim një vendim. Më pas kalojmë tek marrëveshja tjetër. di ndonjë zgjidhje tjetër. Përgjimi 10 DIVEROLI: Më shumë, më shumë. Çështja shkoi më lart tek kryeministri dhe djali i tij. Kjo është..kjo mafia është shumë e fortë mua. Nuk mund ta luftoj këtë mafia. Është bërë shumë e madhe. Kafshët sapo dolën jashtë kontrollit. Shumë lojtarë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›