Trafiku i organeve, Komisioni i Ligjeve miraton në parim pr/ligjin

Komisioni i Ligjeve ka diskutuar sot ligjin për hetimin e EULEX-it në lidhje me akuzat e Dick Martit. Deputetët e PS-së në komisionin kundërshtuan propozimin e qeverisë që ky ligj të kalohet me procedurë të përshpejtuar. Sipas tyre edhe pse ligji është i rëndësishëm nuk duhet të nxitohet për miratimin e tij. Ata kanë theksuar duhet t`u lihet kohë që edhe EURALIUS dhe Prokuroria të japin mendimin e tyre si dhe duhet t`u lihet kohë edhe përfundimit të procedurave të duhura.
Ndërsa ministri i drejtësisë Eduart Halimi ka theksuar se hetimi duhet të bëhet nëprëmjet një ligji jo një marrëveshjeje ndërsa kanë theksuar se përfaqësuesit e EULEX-it kanë zhvilluar takime me ministra dhe prokurorë. Sipas ministrit Halimi qeveria merr përsipër të lejojë hetime në vendin tonë për akuzat e Dick Marty ndërsa ka theksuar se ky ligj kërkon shumicë të cilësuar në Parlament.
“Ky është një ligj special, që i drejtohet Task Forcës së EULEX, që do hetojë akuzat. Pojektligji është sjellë nga BE dhe në hartimin e tij morën pjesë institucione me rëndësi dhe gjithashtu projektligji është në përputhje me marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit” shtoi Halimi.
Ndërkohë Këshilli i Ministrave miratoi ditë më parë projektligjin “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën hetimore speciale të EULEX-it”. Kryeministri Berisha vlerësoi se ky ligj do t`i krijojë ekipit të ekspertëve të Task Forcës hetimore të EULEX-it të gjitha mundësitë për një hetim të plotë, në të gjithë territorin e Shqipërisë, të pretendimeve të ngritura në raportin e Dick Marty. Duke e konsideruar të domosdoshme zbardhjen e të vërtetës mbi këto pretendime, Kryeministri theksoi se raporti nuk bazohet në asnjë fakt evident.