E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i organeve, Serbia: Kemi dëshmitarë

Prokurori i Serbisë për krime të luftës Vlladimir Vukçeviç

Prokurori i Serbisë për krime të luftës, Vlladimir Vukçeviç, thotë se e ka dëshmitarin që dyshohet se ka marrë pjesë në trafikim të organeve të të burgosurve serbë, nga ana e ish pjesëtarëve të UÇK-së, në fund të viteve të 90-të.

Ne e kemi një dëshmitar, që ka dëshmuar për procedurën mjekësore, të bërë në pjesën veriore të Shqipërisë, që përbëhej nga marrja e organeve nga serbët e rrëmbyer gjatë konfliktit të viteve 1998-99 në Kosovë, i tha Vukçeviç agjencisë AFP.

Sipas tij, ky dëshmitar e ka përshkruar operacionin e zemrës së një të burgosuri serb në lokacionin afër Kukësit, në fund të viteve të 90-të dhe transportimin e organit në aeroportin Rinas, afër Tiranës.

Ky dëshmitar tha se zemra ishte shitur në tregun e zi, theksoi Vukçeviç, duke shtuar se njeriu e kishte përshkruar procedurën në detaje dhe kishte pretenduar se ai personalisht kishte marrë pjesë në këtë, raporton AFP.

Lidhur me akuzat për trafikim të organeve nga ish pjesëtarët e UÇK-së në Kosovë, po zhvillohen hetime nga një prokuror i misionit të Bashkimit Evropian, EULEX.

Zyrtarët më të lartë në Kosovë dhe Shqipëri i kanë hedhur poshtë kategorikisht pretendimet për trafikim të organeve, që për të parën herë ishin paraqitur në raportin e Dik Martit në Këshillin e Evropës, por janë shprehur në mbështetje të hetimeve gjithëpërfshirëse për këtë rast.(rel)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›